Ndërlidhjet

OKB: Dënohet ashpër masakra e ndodhur në Houla të Sirisë


Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ka dënuar vrasjet e më shumë se 100 personave në një qytet të Sirisë.

OKB tha se të paktën 108 vetë u vranë dhe 300 u plagosën të premten në sulmet në Houla, pranë qytetit Homs.

Këshilli i Sigurimit, në një deklaratë të lëshuar pas takimit urgjent të së dielës thotë se “në sulme është përfshirë përdorimi i armëve të rënda nga qeveria siriane”.

Deklaratat u lexuan nga zëvendës ambasadori i OKB-së nga Azerbejxhani, Tofig Musajev.

"Anëtarët e Këshillit të Sigurimit i dënojnë në termat më të fortë të mundshëm vrasjet që janë konfirmuar nga vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara, ku përfshihen dhjetëra burra, gra e fëmijë, dhe qindra të tjerë të plagosur në fshatin Houla afër Homs. Në sulme janë përdorur armë të renda nga qeveria siriane”, tha Musajev.

Këshilli ka "dënuar vrasjen e civilëve nga të shtënat në një distancë të afërt, dhe po ashtu ka dënuar abuzimet e rënda fizike”.

Në deklaratën e lëshuar, është thënë se “ata që janë përgjegjës për vrasjet ,duhet të mbajnë përgjegjësinë”, dhe është kërkuan nga presidenti Bashar al-Assad që t’i tërheqë armët e rënda nga qytetet siriane.

Ndërkohë, opozita siriane tha se të paktën 30 vetë u vranë të dielën, kur ushtria bombardoi qytetin qendror Hama, por këto deklarata nuk kanë mundur të verifikohen.

Pas seancës së Këshillit të Sigurimit, përfaqësuesi i Gjermanisë, Peter Vitig tha se përfshirja e qeverisë siriane në masakrën e Houlas ishte e qartë.

"Ka prova të qarta të përdorimit të armëve të rënda, granatime, madje ka gjurmë të tankeve në ato zonë. Pra provat janë të qarta. Provat nuk janë të errëta, dhe ka gjurmë të qarta të qeverisë në këtë masakër", tha ai.

OKB-ja thotë se së paku 10 mijë vetë janë vrarë që nga kryengritja kundër Asadit, që ka filluar në prill të vitit 2011.
XS
SM
MD
LG