Ndërlidhjet

PS: Kërcënimi nga amnezia gjermane


Ilustrim

Ilustrim

“Project Syndicate”


Shkruan: Joshka Fisher, ish-ministër i Jashtëm i Gjermanisë dhe zëvendëskancelar në periudhën 1998-2005.



Situata në Evropë është serioze, shumë serioze. Kush do të mendonte se kryeministri i Britanisë, Dejvid Kameron, do të thërriste qeveritë e Eurozonës të mbledhin guximin për të krijuar një bashkim fiskal?! Kameron po ashtu argumenton se integrimi më i thellë politik është mënyra e vetme për të ndaluar shpërbërjen e euros. Një kryeministër konservator!

Shtëpia evropiane është në flakë dhe bën thirrje për përgjigje racionale dhe të vendosur të brigadës së zjarrit.

Për fat të keq, brigada e zjarrit udhëhiqet nga Gjermania dhe shefja e saj, kancelarja Angela Merkel. Si rezultat, Evropa vazhdon përpjekjet për të shuar zjarrin me benzinë – me masat shtrënguese që ka imponuar Gjermania.

Të mos e mashtrojmë veten! Nëse euro shpërbëhet, do të shpërbëhet edhe Bashkimi Evropian, duke shkaktuar një krizë globale ekonomike në atë shkallë, të cilën shumica e njerëzve që jetojnë sot, nuk e kanë përjetuar kurrë. Evropa është në buzë të greminës dhe me siguri se do të bie në të, nëse Gjermania dhe Franca nuk ndryshojnë kursin.

Zgjedhjet e fundit në Francë dhe në Greqi, së bashku me zgjedhjet lokale në Itali dhe trazirat e vazhdueshme në Spanjë dhe Irlandë, kanë treguar se publiku ka humbur besimin në kursimet e rrepta, të detyruara nga Gjermania. Ilaçi i Merkelit është kundër realitetit dhe demokracisë.

Jemi duke mësuar edhe një herë se kur ky lloj kursimi zbatohet nën dhëmbët e një krize të madhe financiare, ai çon vetëm drejt depresionit. Ky ishte një mësim i madh nga politikat shtrënguese të presidentit Herbert Huver në Shtetet e Bashkuara dhe të kancelarit Hajnrih Bryninh në Gjermani, në fillim të viteve 1930. Për fat të keq, Gjermania duket ta ketë harruar këtë.

Një gjë është e sigurt: rënia e euros dhe e Bashkimit Evropian do të sillte daljen e Evropës nga skena botërore. Politika aktuale e Gjermanisë është absurde në kuptimin e pasojave të hidhura ekonomike dhe politike.

Varet nga Gjermania dhe Franca, Merkeli dhe presidenti Fransua Holland, se si do të vendosin për të ardhmen e kontinentit. Shpëtimi i Evropës tani varet nga një ndryshim thelbësor i qëndrimit ekonomiko-politik të Gjermanisë dhe nga pozicioni i Francës në integrimin politik dhe reformat strukturore.

Franca duhet t’i thotë “po” bashkimit politik - një qeveri e përbashkët me kontroll të përbashkët parlamentar të Eurozonës. Qeveritë kombëtare të Eurozonës tashmë janë duke vepruar si qeveri “de fakto” për të adresuar krizën. Ajo që po bëhet gjithnjë e më e vërtetë në praktikë, duhet të shtyhet përpara dhe të formalizohet.

Gjermania, nga ana e saj, duhet të zgjedhë bashkimin fiskal. Në fund të fundit, kjo nënkupton t’i garantohet mbijetesë Eurozonës.

Dikush lehtë mund të imagjinojë çarjen e Gjermanisë me këtë lloj programi: borxhe më shumë; humbje e kontrollit mbi pasuritë tona; inflacion; thjesht, nuk bën punë.

Por, ai bën punë. Rritja e eksporteve të Gjermanisë bazohet në programe të tilla në vendet në zhvillim dhe në Shtetet e Bashkuara. Nëse Kina dhe Amerika nuk do të hidhnin para të borxhit në ekonomitë e tyre në fillim të vitit 2009, ekonomia në Gjermani do të pësonte goditje të rëndë.

Gjermanët tani duhet të pyesin veten nëse ata, që kanë përfituar më së shumti nga integrimi evropian, janë të gatshëm të paguajnë çmimin për një gjë të tillë apo preferojnë ta lënë të dështojë.

Përveç bashkimit politik dhe fiskal, si dhe politikave afatshkurtra të rritjes, evropianët kanë nevojë urgjente për reforma strukturore që synojnë rikthimin e konkurrencës së Evropës. Secila nga këto shtylla është e nevojshme nëse Evropa do që të kapërcejë krizën e saj ekzistenciale.

E kuptojmë ne gjermanët përgjegjësinë pan-evropiane? Vërtet nuk duket kështu. Në fakt, Gjermania ka qenë rrallë e izoluar siç është tani. Vështirë se dikush e kupton politikën dogmatike të kursimit, e cila shkon kundër çdo përvoje. Nuk është ende vonë të ndryshohet drejtimi, por tani kemi vetëm ditë dhe javë, ndoshta muaj, dhe jo vite.

Gjermania ka shkatërruar veten dhe rregullin evropian dy herë në shekullin 20 dhe ka bindur Perëndimin se ka hartuar konkluzione të duhura. Vetëm në këtë mënyrë – e cila pasqyrohet më mirë në përqafimin e saj të projektit evropian – Gjermania ka fituar pëlqimin për ribashkimin e saj.

Do të ishte tragjike dhe ironike nëse një Gjermani e riparuar, me qëllimet më të mira, sjell shkatërrimin e rendit evropian për të tretën herë.(v.t.)
XS
SM
MD
LG