Ndërlidhjet

Lavrov dhe Hejg pajtohen për rritjen e presionit ndaj Sirisë


Siri...
Siri...
Sekretari i Jashtëm britanik, Uilliam Hejg, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, janë pajtuar për rritjen e presionit ndaj Qeverisë siriane, në mënyrë që kjo e fundit të tërheqë tanket dhe artilerinë nga zonat e banuara anembanë Sirisë.

Bisedimet ndërmjet Lavrovit dhe Hejgut në Moskë kanë pasuar masakrën e 25 majit të 108 personave – shumica nga ta gra dhe fëmijë – në fshatin Houla të Sirisë.

Lavrov ka thënë se hapi më i rëndësishëm në krizën siriane do të ishte zbatimi i planit për paqe të të dërguarit të Kombeve Bashkuara dhe Ligës Arabe, Kofi Anan.

Ai, megjithatë, ka hezituar të mbështesë thirrjet e Britanisë për dorëheqjen e presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad.

Për ne, nuk është e rëndësishme se kush është në pushtet në Siri dhe çfarë regjimi ka atje. Gjëja kryesore për ne është t’i jepet fund dhunës, duke siguruar që nuk do të ketë vdekje të njerëzve, para së gjithash të popullatës civile, dhe duke siguruar një dialog politik, brenda të cilit sirianët do të vendosin vetë për fatin e vendit të tyre”, ka thënë Lavrov.

Sipas tij, edhe luftëtarët e qeverisë, edhe ata të opozitës “kanë gisht në vdekjet e njerëzve të pafajshëm në Houla”.

Hejg tha se thirrjet e Britanisë për largimin e Asadit janë të vazhdueshme, por, sipas tij, ka edhe një “prioritet urgjent” që është zbatimi i planit të Ananit.

Gjetja e një zgjidhjeje për këtë ka të bëjë me largimin e tij mënjanë. Por, gjëja më e rëndësishme është të ndiqet plani i Ananit... Ky është prioritet urgjent. Ka mënyra të ndryshme për ta bërë këtë, por sigurisht se përfshijnë një proces politik”, ka thënë Hejg.

Anan ka udhëtuar sot drejt Damaskut për të biseduar me zyrtarët sirianë, përfshirë edhe presidentin Asad.

Të dielën, monitoruesit e Kombeve të Bashkuara i kanë raportuar Këshillit të Sigurimit për 49 fëmijë të vrarë, ashtu si edhe 34 gra, në mesin e viktimave të Houlas. Ata kanë thënë se shumica janë vrarë nga artileria dhe predhat e tankeve, të cilat i posedojnë vetëm forcat qeveritare.

Këshilli i Sigurimit është takuar mbrëmë, ndërsa deklarata e nxjerrë është lexuar nga zëvendësambasadori i Azerbajxhanit në OKB, Tofig Musajev.

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit kanë dënuar në termat më të fuqishëm vrasjet - të konfirmuara nga vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara - të dhjetëra burrave, grave dhe fëmijëve, si dhe plagosjen e qindra të tjerëve në fshatin Houla pranë Homsit, nga sulmet që kanë përfshirë artileritë dhe predhat e qeverisë në lagjen e banimit”, ka thënë Musajev.

I dërguari i Sirisë në Kombet e Bashkuara, Bashar Jafari, tha se akuzat për përgjegjësi të qeverisë janë pjesë e një “cunami gënjeshtrash” kundër Damaskut, i cili ka fajësuar “terroristët” për masakrën.

Në Damask, zëdhënësi i ministrit të Jashtëm të Sirisë, Xhihad al-Makdeshi, ka akuzuar luftëtarët e opozitës për kryerjen e masakrës në Houla, duke “përdorur mortaja dhe raketa anti-tank”. Ai po ashtu ka thënë se ngjarja do të hetohet nga një komision ushtarak i Sirisë.

Organizata Human Rights Watch ka kërkuar nga ekspertët e OKB-së të hetojnë masakrën e Houlas, duke thënë se “komisioni ushtarak i Sirisë nuk mund ta hetojë në mënyrë të besueshme krimin e tmerrshëm”.(v.t.)
XS
SM
MD
LG