Ndërlidhjet

Egjipt: Morsi e Shafik, në balotazhin presidencial


Kandidati i Vëllazërisë Myslimane Mohamed Morsi(majtas) dhe ish kryeministri Ahmed Shafik
Kandidati i Vëllazërisë Myslimane Mohamed Morsi(majtas) dhe ish kryeministri Ahmed Shafik
Trupi që mbikëqyr zgjedhjet presidenciale në Egjipt ka thënë se në balotazhin presidencial, që mbahet më 16 dhe 17 qershor, do të garojnë kandidati i Vëllazërisë Myslimane Mohamed Morsi dhe Ahmed Shafik, kryeministri i fundit nën administratën e presidentit të rrëzuar Hosni Mubarak.

Komisioni Zgjedhor në një konferencë për gazetarë tha se pjesëmarrja në zgjedhje ishte 46. 2 për qind.

Më herët u raportua se Morsi dhe Shafik, së bashku me një kandidat tjetër, Hamdin Sabahi, nga partia majtiste, al-Karamah, kanë dorëzuar ankesat në komisionin zgjedhor, duke pretenduar se ka pasur shkelje zgjedhore në votimin e 23 dhe 24 majit.

Dymbëdhjetë kandidatë kanë marrë pjesë në zgjedhjet, të cilat erdhën më shumë se një vit pas rrëzimit të Mubarakut në shkurt të 2011-ës, rrëzim ky i detyruar nga demonstratat masive kundër regjimit të tij.

Përkundër asaj që është përshëndetur si proces me karakter transparent dhe paqësor, raportohet se zgjedhjet kanë shkaktuar ndasi të thella në Egjipt.

Shumë egjiptianë shqetësohen se një fitore e Shafikut mund të çojë në një ringjallje të regjimit të Mubarakut.

Shafik është zotuar të shtunën se do të punojë për të arritur përparim pas revolucionit të njohur si “Pranvera Arabe”, që e kaploi edhe vendin e tij.

Ai në një tubim para të rinjve në Kajro, tha se “nuk ka kthim prapa”.

"Siç thashë, unë e kam shtrirë dorën time për të gjithë egjiptianët, unë pranoj dialogun nga të gjithë politikanët e të gjitha forcave. Në të njëjtën kohë, unë këmbëngul që të rreshtohem pranë popullit dhe ju ftoj të gjithëve, që të bëni marrëveshje me popullin”, tha Shafik.

Nëse, Morsi një islamist konservator, fiton, Vëllazëria do të jetë në gjendje të ushtrojë kontroll edhe më të madh mbi institucionet shtetërore, derisa organizata tashmë kontrollon gati gjysmën e vendeve në parlament, të cilat i fitoi në zgjedhjet parlamentare, që u mbajtën në fillim të këtij viti.

Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve MENA, pjesëmarrja e votuesve në raundin e parë ishte rreth 50 për qind.

Këshilli Suprem i Forcave të Armatosura, i cili ka qenë përgjegjës që nga rrëzimi i Mubarakut, është zotuar t’ia dorëzojë pushtetin presidentit të zgjedhur në fund të qershorit.

Derisa nuk miratohet një Kushtetutë e re, ende mbetet e paqartë se çfarë kompetenca do të ketë presidenti i ri.

Ka pasur shqetësime se pushteti ushtarak mund të kërkojë të mbajë disa kompetenca edhe pas dorëzimit të pushtetit te një qeveri civile.

Udhëheqja e vazhdueshme nga gjeneralët, që rënia e Mubarakut ka shkaktuar një seri të përleshjeve mes protestuesve dhe forcave të sigurisë në Kajro dhe gjetkë, duke shkaktuar viktima dhe të lënduar.

Shumë egjiptianë, kanë shfaqur frustrimin e tyre me ritmin e ngadaltë të ndryshimit në vendin e tyre pas revolucionit: ekonomia ka ngecur, disa shërbime publike janë bërë më pak efikase dhe është rritur niveli i krimit.(a.i.)
XS
SM
MD
LG