Ndërlidhjet

Kosovë: Në pritje të shqyrtimit të Kodit Penal


Ilustrim
Ilustrim

Komisioni për legjislacion i Kuvendit të Kosovës të hënën ka diskutuar lidhur me dy nenet e Kodit Penal të Republikës së Kosovës, nenet 37 dhe 38, të cilat nga asociacionet vendore dhe ndërkombëtare të medieve, janë cilësuar si “përpjekje për të heshtur gazetarinë hulumtuese”.

Këto dy nene kanë të bëjnë me sanksionimin e shpifjes dhe zbulimin e burimit të informacionit në rastet kur bëhet fjalë për procedime kriminale, ndërkohë që përfaqësuesit e gazetarëve dhe medieve, theksojnë se që në fillim i kanë ofruar argumentet se pse i kontestojnë dhe kundërshtojnë ato.

Arben Ahmeti, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, thotë se pas kthimit të Kodit Penal në Kuvendin e Kosovës nga ana e presidentes së vendit Ahtifete Jahjaga, ky asociacion është duke pritur, se cili do të jetë vendimi i Komisionit për legjislacion në Kuvend të Kosovës lidhur me këto dy nene.

Tash ligji është në komision. Ne si asociacion ia kemi drejtuar komisionit të gjithë bazën dhe arsyetimin e mundshëm legal se pse të dy nenet, neni 37 dhe 38, nuk duhet të figurojnë në Kodin Penal të Republikës së Kosovës”.

Jemi të gatshëm dhe kemi kërkuar që të takohemi me anëtarët e Komisionit dhe tu sqarojmë edhe në takim se pse këto dy nene shkelin dhe e fundosin lirinë e shtypit dhe presim që kësaj here, anëtarët e Komisionit, të përdorin të gjitha kapacitetet e tyre dhe ti heqin këto dy nene prej Kodit Penal dhe pastaj, Kodi, pa dy nene, të shkoj dhe të hyj në votim në Kuvend”, u shpreh Ahmeti.

Në anën tjetër, Arben Gashi, kryetar i komisionit për legjislacion në Kuvendin e Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se ky komision të hënën ka diskutuar lidhur me nenet 37 dhe 38 të Kodit Penal dhe se gjatë javë së ardhshme pritet shqyrtimi i këtyre dy neneve me palët e interesuara.

Është diskutuar në Komision dhe është marrë vendim që këto dy nene të trajtohen më tutje. Javën e ardhshme do të mbahet një takim-konferencë me palët e interesuara për të parë se cilat janë qëndrimet e tyre dhe brenda afateve ligjore ne do të japim përgjigjen”, tha Gashi.

Megjithatë, Ahmeti thekson se shqetësimi i gazetarëve dhe mediave, vazhdon të jetë i pranishëm lidhur me mundësinë që Kodi Penal do të hyjë në fuqi, pa u përfillur vërejtjet dhe kundërshtimet e tyre.

Arsyet për shqetësim ne i kemi elaboruar që nga fillimi dhe vendim-marrësit edhe atëherë e kanë ditur se ne jemi të pakënaqur, si dhe e kanë ditur se çfarë efekti kanë këto dy nene. Por, atëherë, përkundrazi, kanë insistuar që ta bëjnë një gjë të tillë”.

Pra, kemi parë një vullnet të jashtëzakonshëm të deputetëve të Kosovës që ta fundosin lirinë e shtypit. Ne vetëm po shpresojmë që kësaj radhe edhe me mbështetjen e miqve ndërkombëtarë, e cila ka qenë shumë e madhe, nuk do të lejohet që vullnetet antidemokratike, inatet personale të deputetëve të caktuar karshi medieve, të kenë aq shumë efekt sa që me anë të ligjit të fundoset liria e shtypit”.

Ndryshe, Kodi Penal është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në seancën plenare më 20 prill të këtij viti.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, më 8 maj, kishte marrë vendimin që Kodin Penal t’ia kthejë Kuvendit të Kosovës për rishqyrtim, duke thënë se “Neni 37 dhe Neni 38 i Kodit Penal janë në kundërshtim të plotë me Nenin 40 dhe Nenin 42 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që rregullojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medieve, si dhe me Nenin 22.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që obligon përmbushjen e Konventës Evropiane për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj".
XS
SM
MD
LG