Ndërlidhjet

Wall Street Journal: Srebrenica e Sirisë


Siri...
Siri...
“Wall Street Journal”

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të dielën ka dënuar Qeverinë siriane për vrasjen e 108 personave në Houla – shumica nga të cilët ishin gra dhe fëmijë. Por, dënimi nuk ishte i plotë. Ai do të duhej të përfshinte edhe vetë Këshillin e Sigurimit, i cili ka ofruar siguri diplomatike dhe ka lejuar Qeverinë e Asadit të vazhdojë vrasjet.

Falë Rusisë dhe Kinës, Këshilli i Sigurimit nuk ka arritur të vendosë sanksione serioze kundër Sirisë, e aq më pak të miratojë masa për të ndihmuar opozitën me më shumë se 6,000 të vrarë. Kjo është mjaft keq.

Në muajin prill, Kombet e Bashkuara kanë nxitur regjimin me misionin e tyre për të dërguar Kofi Ananin në Damask, si të dërguar special për paqe.

Zoti Anan, i cili si sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara është i stërvitur në mënyrë të përkryer për të akomoduar diktatorët, ka ndërmjetësuar armëpushimin, për të cilin ka thënë se Siria e Bashar al-Asadit është zotuar se do t’i përmbahet.

Ashtu siç edhe ishte parashikuar në mase të madhe, armëpushimi i zotit Anan pati sukses vetëm në blerjen e kohës për regjimin e Asadit, për të shtypur bastionet e rebelëve në Homs dhe gjetkë, si dhe për të kryer masakrën në Houla.

Të hënën, zoti Anan bëri një tjetër udhëtim drejt Damaskut dhe u shpreh “i tronditur nga incidenti tragjik në Houla”.

Ai po ashtu i bëri thirrje “çdo individi me armë” që të çarmatoset dhe të ndalojë vrasjet. Por, OKB-ja është bashkëpunëtore në vrasjet e Houlas ashtu siç ishte kur paqeruajtësit holandezë nuk bënë asgjë derisa serbët masakruan mijëra boshnjakë në Srebrenicë, më 1995.

Administrata e Obamës nënshkroi misionin e Ananit si një justifikim për të mos organizuar koalicion jashtë OKB-së, për të ndërhyrë në Siri. Bill Klintoni përfundimisht u turpërua për misionin e OKB-së në Bosnjë, në vitet 1990. Por, qëllimi kryesor i Obamës duket të jetë kapërcimi i zgjedhjeve pa pasur nevojë të përdorë forcën ushtarake amerikane.

Në fundjavë, ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë bënë të ditur se strategjia e tyre e re është të marrin me të mirë rusët, që këta të fundit të ndihmojnë në largimin e Asadit, por duke ruajtur pjesën më të madhe të regjimit.

Nuk është e qartë përse rusët do të vendosnin heqjen dorë nga klienti i tyre i fundit në Lindjen e Mesme. Aq më pak është e qartë se si një regjim i ardhshëm në Damask, i cili, sipas të gjitha gjasave do të drejtohej nga alavitët, do të rehatonte opozitën me shumicë sunite.

Për shumë muaj është thënë se Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi nuk mund të ndërhyjnë në Siri, sepse një gjë e tillë do të çonte në luftë civile, sepse trazirat mund të përhapen në rajon dhe nuk dihet se kush mund ta zëvendësojë Asadin.

Por, lufta civile gjithsesi po shpërthen, kaosi është përhapur në Liban dhe gjërat e përgjakshme do ta bëjnë Sirinë të rrëshqasë në një kaos që fuqizon elementet radikale të të dyja anëve.

Në Libi, të paktën, zoti Obama ka udhëhequr më mirë. Në Siri, ai po ndjek Kombet e Bashkuara që janë bërë bashkëfajtor me Bashar al-Asadin.(v.t.)
XS
SM
MD
LG