Ndërlidhjet

Ukrainë: Diskreditim apo paralajmërim rreziku?


Ukrainë...
Ukrainë...
Ukraina i ka akuzuar mediat britanike se kanë nisur një fushatë për të diskredituar vendin para kampionatit evropian të futbollit, që bashkorganizohet në muajin e ardhshëm nga ky shtet dhe Polonia.

Në programin “Panorama” të BBC-së, të transmetuar të hënën, ish lojtari ndërkombëtar anglez Sol Kampbell i paralajmëroi tifozët anglezë që të mos udhëtojnë në Euro 2012, për shkak se mund të përballen me kërcënime raciste dhe dhunë ndaj personave që nuk janë të bardhë.

Dokumentari heton të kaluarën e dhunshme të tifozëve të futbollit në Ukrainë dhe në Poloni, dhe i përfshin disa pamje, ku tifozët përshëndesin në stilin nazist, si dhe i përqeshin lojtarët e zinj duke mbajtur hundë të majmunëve.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleh Voloshin tha se pretendimet për racizëm janë “një problem i shpikur dhe mitik”.

Ai po ashtu theksoi se sa i përket racizmit, shtetet e Bashkimit Evropian kanë shumë më shumë probleme, sesa Ukraina.

Kampbell, duke folur për BBC-në, tha se ajo çka ka parë në pamje, ishte neveritëse.

“Nuk mund të besoj, kjo më ngjall neveri dhe prekem kur e shoh këtë, sepse e di, se nëpër çka kalojnë ata djem”, thotë Kampbell.

Ai po ashtu i këshilloi tifozët anglezë që të “qëndrojnë në shtëpi” dhe të shmangin mundësinë e rënies viktimë nga dhuna raciste.

Qëndroni në shtëpi e shikojeni televizionin. As mos rrezikoni, sepse mund të përfundoni, mund të ktheheni në arkivol”, ka paralajmëruar Kampbell.

Në xhirimet e Panoramës së BBC-së shfaqet një grup i studentëve aziatikë, që sulmohen në stadiumin e Karkivit, një nga katër qytetet e Ukrainës, ku do të zhvillohen ndeshjet.

Dy lojtarë të zinj anglezë tashmë kanë thënë se nuk do të shkojnë në kampionat.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Voloshin tha se “shoqëria e Ukrainës mund të kritikohet për shumëçka… por, sa i përket racizmit, shtetet e BE-së, janë shumë më keq sesa Ukraina”.

Ombudspersoni për të drejtat e fëmijëve në Ukrainë, ndërkohë, iu ka rekomanduar prindërve, që t’i mbajnë fëmijët larg Euros 2012 për shkak të rrëmbyesve të mundshëm pedofilë.

Juri Pavlenko, i dërguari i veçantë i presidentit për të drejtat e fëmijëve, iu tha gazetarëve në Kiev, se gjashtë turistë pedofilë, pritet të jenë mes qindra mijëra turistëve që do të vërshojnë Ukrainën për kampionat.

Pavlenko iu sugjeroi prindërve që t’i dërgojnë fëmijët larg nga qytetet ku zhvillohen ndeshjet.

Udhëzimet e presidentit vënë theksin te siguria e fëmijëve gjatë Euros 2012. Duhet të organizohen aktivitete për ta, dhe më shumë se 16 mijë kampe do të ngrihen si premisa shkollore. Prindërit, po ashtu këshillohen, që të largojnë fëmijët nga qytetet ku zhvillohen ndeshjet. Ukraina duhet të jetë gati- shumë njerëz do ta vizitojnë, edhe ata që nuk janë të interesuar vetëm në futboll”, tha Pavlenko.

Ai tha se presidenti Viktor Janukoviq ka urdhëruar policinë që të ndërmarrë masa shtesë për të mbrojtur fëmijët gjatë turneut.

Organizata e OKB-së për fëmijët, UNICEF ka thënë se Ukraina është qendra më e madhe e Evropës për shfrytëzimin seksual dhe trafikimin me qenie njerëzore.(a.i.)
XS
SM
MD
LG