Ndërlidhjet

BE: Prishtina e Beogradi të përgatiten për bisedime


Ilustrim

Ilustrim

Bashkimi Evropian zotohet se do të vazhdojë të ndërmjetësojë dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, pas formimit të qeverisë së re në Beograd.

Por, paraprakisht, Brukselit do t’i nevojitet një fazë konsultative me palët, rreth vazhdimit të bisedimeve.

Çështja kryesore që pritet të përcaktohet është nëse dialogu do të vazhdojë të cilësohet si teknik, apo do të përfshijë në vete edhe çështjen e veriut.

Aktualisht, të dyja palët e përfshira, tregohen të rezervuara duke pritur formimin e qeverisë së re në Beograd.

Në anën tjetër, Maja Kocianqiq, zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropiane Kethrin Eshton, thotë se Brukseli ua ka bërë të qartë palëve se dialogu do të vazhdojë.

Tash presim që të formohet shpejt qeveria e re në Beograd, dhe më pas do të konsultohemi me të dyja palët se kur dhe si do të procedojmë, por ne e kemi bërë të qartë se dialogu është në interesin e të dyja palëve, si Serbisë ashtu edhe Kosovës”.

Ato janë çështje praktike që kërkojnë zgjidhje dhe ne do të punojmë mbi këto baza. Si e thash presim që dialogu do të vazhdojë. E po ashtu ka çështje që duhet adresuar siç është ajo e zbatimit të marrëveshjeve tashmë të arritura”, ka thënë Kocianqiq.

Insistimi i Brukselit për vazhdimin e dialogut, nuk është duke u pritur me entuziazëm as nga Prishtina, dhe as nga Beogradi.

Përderisa presidenti i ri serb Tomisllav Nikolliq, gjatë fushatës kishte deklaruar se ai nuk do t’i respektojë marrëveshjet e arritura, nëse ato janë në kundërshtim me interesat e Serbisë, në Prishtinë ka një fjalor më të butë politik duke e kushtëzuar vazhdimin e bisedimeve me zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi, thotë se Qeveria e Kosovës pret që para vazhdimit të bisedimeve të zbatohen marrëveshjet e arritura.

Ne jemi duke menduar që të zbatohen konkluzionet e arritura deri më tani. Ato kanë qenë bisedime ndërshtetërore midis Kosovës dhe Serbisë dhe pastaj do të shohim se si do të shkojnë gjërat”.

Ne presim që ato të zbatohen, këtu garant janë BE-ja e natyrisht edhe SHBA-të dhe të tjerët dhe unë besoj se serioziteti i këtyre bisedimeve që kanë ndodhur deri më tani, cilësia e tyre por edhe përkushtimi për të ardhmen duhet të tregohet me hap konkret për implementimin e marrëveshjeve”, ka deklaruar Kuçi.

Dialogu Prishtinë – Beograd ka hyrë në një udhëkryq të ri, pas fitores së Tomisllav Nikolliqit në zgjedhjet presidenciale në Serbi, i njohur për qëndrime nacionaliste në raport me shqiptarët dhe Kosovën.

Analistët politikë në Prishtinë madje kanë paralajmëruar që Nikolliq mund të përqendrojë politikën e tij, tash e tutje, ekskluzivisht në veriun e Kosovës duke i rikthyer ambiciet serbe për shkëputjen e kësaj pjese nga Kosova.

Megjithatë, besohet se pozicioni i qartë serb në raport me dialogun, veriun dhe Kosovën në përgjithësi mund të shihet pasi që në Beograd të formohet edhe qeveria e re.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG