Ndërlidhjet

logo-print

Iluzioni i afatit rekord në heqjen e vizave për Kosovën


Pasaportat e Kosovës

Pasaportat e Kosovës

Autoritetet në Kosovë paralajmëruan se, gjatë fundjavës që vjen, pyetësori për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit do ta marrë formën e tij përfundimtare për t’iu dërguar më 8 qershor Komisionit Evropian.

Përfaqësues të ekzekutivit të vendit u shprehën optimistë për vlerësimin e cilësisë së përgjigjeve në diku 450 pyetjet e dokumentit në fjalë, ndërsa shfaqën shpresën që, deri në fund të kësaj pranvere, të marrin sinjale pozitive edhe sa i takon udhërrëfyesit zyrtar për liberalizimin e vizave me BE-në.

Edon Cana, këshilltar për çështje të integrimeve evropiane i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i tha Radios Evropa e Lirë se është bërë tashmë gati drafti përfundimtar i udhërrëfyesit zyrtar për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Mund të themi se udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave veç se ka marrë formën finale dhe, shumë shpejt, besoj se do ta kemi dhënien e udhërrëfyesit nga ana e Komisionit Evropian tek qeveria e Republikës së Kosovës. Por, unë nuk dua të flas me data, sepse ju e dini që udhërrëfyesi na është premtuar që moti. Qeveria e Kosovës i ka përmbushur kriteret për marrjen e udhërrëfyesit për më shumë se një vit”, theksoi Cana.

Ai shprehu bindjen që institucionet kosovare të jenë në gjendje që, siç tha ai, për një afat rekord të përmbushin të gjitha kriteret e përcaktuara në versionin zyrtar të udhërrëfyesit.

Njohësit e çështjeve të integrimeve evropiane, ndërkaq, thonë se nuk mund të flitet për zbatimin e kritereve në afat rekord meqë Kosova ka ende shumë sfida para vetës.

Eksperti për integrime, Shenoll Muharremi, tha se forma finale e udhërrëfyesit zyrtar të cilin Bashkimi Evropian e ka përgatitur për Kosovën dallon nga udhërrëfyesit që iu janë dhënë vendeve të rajonit.

Për dallim nga shtetet si Maqedonia, Shqipëria apo Serbia, në dokumentin për Kosovën rëndësi të veçantë, sipas tij, u kushtohet çështjeve që ndërlidhen me procesin e riatdhesimit dhe ri-integrimit.

Përmbajtja e udhërrëfyesit është më ndryshe për shkak se ka shumë elemente në hyrje të tij që adresojnë çështjen e riatdhesimit, çështjen e ri-integrimit por edhe çështjen e sigurisë, për shembull sa ka Kosova kapacitete për të pasur kontroll për të huajt që hyjnë në Kosovë”, tha ai.

Komisioni Evropian, sipas Muharremit, pritet të monitorojë numrin e azilkërkuesve kosovarë që janë paraqitur në vendet anëtare të BE-së, që siç thuhet, do t’i shërbejë këtij mekanizmi për të parë se a paraqet ndonjë kërcënim hyrja e Kosovës në Listën e Bardhë të Shengenit.

Kriteret e tjera, ndërkohë, thuhet se kanë të bëjnë me kontrollin e kufijve, sigurinë e dokumenteve, çështjet që ndërlidhen me luftën kundër korrupsionit dhe ato që kanë të bëjnë me zhvillimin socio-ekonomik të vendit.

Kosova ka mbetur vendi i vetëm në rajon për qytetarët e të cilit nuk është lehtësuar regjimi i vizave me Bashkimin Evropian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG