Ndërlidhjet

Qeveria e re serbe do të mbajë qasjen e njëjtë për Kosovën


Veri...
Veri...
Qasja e strukturave të reja të Serbisë ndaj Kosovës do të varet nga fakti se si do të konceptohet Qeveria e re e Serbisë, vlerësojnë zyrtarët e qeverisë së tanishme serbe.

Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën i Qeverisë së Serbisë thotë se edhe qasja e kësaj ministrie ndaj serbëve të Kosovës do të varet nga buxheti që do të ofrojë shteti serb lidhur me këtë çështje.

Vështirë se mund të pritet rritje e buxhetit duke pasur parasysh situatën ekonomike në të cilën gjendet Serbia. Prandaj, është e rëndësishme që mjetet t’i shpenzojmë në mënyrë racionale, ndërkaq ato do të jenë aq sa Serbia mund t’ia lejojë vetes”, thotë Ivanoviq.

Oliver Ivanoviq
Oliver Ivanoviq
Ai thekson se nuk beson në mundësinë, e cila është përfolur se me formimin e qeverisë së ardhshme të Serbisë, Ministria për Kosovën do të shpërndahet ose hiqet fare.

Sipas tij, lidhur me këtë nuk ka pasur kurrfarë paralajmërimesh.

Mendoj se nuk do të hiqet kjo ministri, por duhet pasur durim edhe disa ditë. Unë pres që menjëherë pas inaugurimit të kryetarit të ri të shtetit, do të formohet edhe qeveria" .

"Bazuar në atë se si do ta ketë përbërjen dhe programin e saj, qeveria do ta mbajë qasjen e njëjtë ose të ngjashme ndaj Kosovës. Do të thotë, pres që në bazë të asaj se çfarë koncepti do të pranohet, mbi atë bazë do të formohet edhe vet struktura e qeverisë
”, shprehet Ivanoviq.

Në anën tjetër, njohësit e rrethanave politike në Kosovë, vlerësojnë se Ministria për Kosovën e qeverisë së Serbisë, nuk ka pasur ndonjë rol apo ndikim të veçantë në qasjen e Kosovës ndaj Serbisë.

Analisti i çështjeve politike, Krenar Gashi, thotë se ekzistimi i kësaj ministrie ose jo, në fakt luan rol vetëm sa për të ngopur opinionin në Serbi me një mbushje të vakuumit institucional që ajo e ka karshi Kosovës.

Sa i përket implikimeve të drejtpërdrejta në Kosovë, roli i kësaj ministrie, qoftë në veri të vendit e qoftë në jug, nuk besoj se në veçanti ka qenë i ndryshëm prej rolit të përgjithshëm të Qeverisë apo të shtetit serb gjatë mandatit të kaluar, për arsye se shteti serb ndaj Kosovës ndjek politikën me të gjitha ministritë dhe gjithë aparatin shtetëror”, thotë Gashi.

Krenar Gashi
Krenar Gashi
Se cila do të jetë qasja e qeverisë së ardhshme të Serbisë ndaj Kosovës, sipas analistit Gashi, është vështirë të parashihet pa u arritur marrëveshje e detajuar e ndonjë koalicioni qeverisës atje.

Por, sipas tij, nëse eventualisht do të krijohej një koalicion ndërmjet Partisë Përparimtare të kryetarit të sapozgjedhur Tomisllav Nikoliq, dhe Partisë Demokratike të ish-kryetarit Boris Tadiq, si dhe një e tretë, atëherë do të krijohej një koalicion më i gjerë dhe më stabil, i cili do ta kishte legjitimitetin për të marrë vendime më radikale karshi Kosovës.

A pres unë që të merren këto vendime në një të ardhme të afërt? Absolutisht jo. Serbia e ka kryer një punë të cilën e ka pasur me bashkimin evropian sa i përket marrjes së statusit të kandidatit dhe pas kësaj nuk pritet ndonjë përparim, të paktën jo afatshkurtër, i Serbisë karshi Bashkimit Evropian. Kësi soji, kjo automatikisht ‘përkthehet’ në një konsistencë të politikës, të cilën Serbia e ka pasur karshi Kosovës”, thekson ai.

Ndryshe, analisti Gashi vlerëson se Qeveria e Kosovës i ka pasur duart e lidhura karshi Serbisë sa i përket çështjes së aplikimit të politikave të kësaj të fundit në Kosovë.

Sipas tij, kjo ka ndodhur për shkak se bashkësia ndërkombëtare në vazhdimësi ka potencuar se Qeveria e Kosovës nuk do të duhej të ndërmarrë hapa kundër strukturave paralele, të cilat nuk kanë qenë vetëm të Ministrisë Serbe për Kosovën, por të gjithë Qeverisë së Serbisë apo përgjithësisht shtetit serb.
XS
SM
MD
LG