Ndërlidhjet

logo-print
Sipas infektologëve, Kosova grumbullon 85 persona të prekur me HIV, ndërsa nga viti 1986, kur edhe është identifikuar rasti i parë, kanë vdekur 35 persona.

Por, përfaqësues të organizatës për personat që jetojnë me HIV në Kosovë, thonë se kanë probleme me furnizim me terapi.

Alban Gjonbalaj, udhëheqës i kësaj organizate, njëherësh i prekur me këtë virus, pohon se tash e dy muaj , Qendra Klinike Universitare, përkatësisht klinika infektive, janë pa terapi të duhur.

Barna nuk ka që gati dy muaj. Tenderi është anuluar dhe po ri-tenderohet, për shkak se ka qenë vetëm një aplikant. Shumica nuk kanë barna dhe po rrinë pa barna, disa të tjerë i kanë blerë vetë në Austri”, shprehet Gjonbalaj.

Mungesa e terapisë shkakton dëme te këta persona, meqë gjendja e pacientëve mund të përkeqësohet.

Ekspertë shëndetësorë thonë se me këtë sëmundje, njerëzit jetojnë shumë vjet, andaj ndërprerja e terapisë mund të ndikojë që manifestimi i sëmundjeve të rënda të vijë më herët, se sa që do të vinte me marrjen e terapisë së rregullt.

Sipas infektologëve në klinikën infektive, trajtohen gjithsej 14 persona me terapi anti-retrovirale.

Këtë e thotë Izet Sadiku, infektolog. Sipas tij, 6 muajt e fundit kanë pasur probleme me furnizim të vazhdueshëm.

Sadiku thotë se mungesa e terapisë së rregullt, u shkakton telashe shëndetësore personave që jetojnë me HIV.

Që nga viti 2005 ka filluar të trajtohen me terapi anti-retrovirale , dhe tash trajtohen 14 persona në klinikën infektive në QKUK. Gjashtë muajt e fundit kemi pasur probleme me furnizim me barna dhe ka ndodhur deri në 2 muaj të mos ketë, dhe kjo ka shkaktuar probleme, sepse sëmundja e tillë kërkon trajtim adekuat dhe në një afat kohor të vazhdueshëm të mos ndërpritet terapia. Klinika ka bërë kërkesën me kohë, por ka pasur vonesa në furnizim”, thotë Sadiku.

Por, zoti Gjonbalaj thotë se Ministria e Shëndetësisë është zotuar se do të mund t’i mbulojë shpenzimet për barna, meqë numri i pacientëve që marrin terapi në QKUK është mjaft i vogël .

Ministria e Shëndetësisë ka marrë këtë detyrë mbi vete dhe është zotuar se do të bëjë furnizimin me barna për personat që jetojnë me HIV, për shkak të numrit të vogël të personave të prekur me HIV që janë në Kosovë”, thekson ai.

Në anën tjetër, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë kanë pohuar se një lloj i ilaçit i quajtur Combivir, mund ta marrin pacientët në klinikën infektive, derisa Efavirenzes nuk ka tash për tash.

Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në këtë ministri ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se mungesa e barnave, vjen si rezultat i ofertuesve të pamjaftueshëm.

Kosovarët të cilët jetojnë jashtë vendit, e që janë të prekur me HIV, po qe se shteti përkatës i kthen në Kosovë, do të jetë e vështirë të sigurohet terapia për ta. Këtë e thotë zoti Sadiku, duke shtuar se ka pasur një kërkesë që ta informojë shtetin gjerman lidhur me gjendjen aktuale me furnizim me terapi për personat që jetojnë me HIV, meqë ka të tillë që trajtohen atje.

Javën e kaluar kemi pasur kërkesa nga Evropa, të dinë se si qëndron gjendja me furnizim në Kosovë, për shkak se kanë dashur t’i kthejnë disa kosovarë, që janë të prekur me HIV. Por, nëse kthehen ata, do të jetë e vështirë t’i mbulojmë edhe ata me terapi, sepse buxheti i Kosovës nuk e lejon, sepse ne me 14 persona po kemi probleme me furnizim”, bën të ditur Hoti.

Sidoqoftë, përfaqësues të zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, thonë se Kosova karakterizohet me një shkallë të ulët të rasteve me HIV/AIDS, dhe hyn në kategorinë e vendeve me përhapje të ulët.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG