Ndërlidhjet

Tiranë: Dështon raundi i parë i votimit për presidentin


Parlamenti i Shqipërisë

Parlamenti i Shqipërisë

Dështon një tjetër raund negociatash mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste.

Takimi mes negociatorëve të të dyja palëve, i kryesuar nga kryetarët e grupeve parlamentare Astrit Patozi e Gramoz Ruçi, u mbyll në pak minuta.

PS e cilësoi zgjidhje të njëanshme atë të PD-së dhe aleatëve të saj që ofruan në këtë takim një emër konkretet si kandidat potencial për t’i dhënë vendit një president konsensual.

Bëhet fjalë për ermin e Xhezair Zaganjorit, një emër që vjen nga drejtësia, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, fryt i një negocimi të gjatë mes aleatëve në qeverisje.

Por, për kryetarin e grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, takimi i së mërkurës në prag të zhvillimit të raundit të parë të votimit, ishte monolog i pozitës dhe jo dialog mes palëve.

Sot, në këtë takim, i cili nuk ishte takim për të negociuar, por ishte një takim për të njoftuar se pozita e paska vendosur kandidatin në mënyrë të njëanshme. Parë prej këtij këndvështrimi kuptohet se s’ishte negociatë, nuk është një zgjidhje pa iu kërkuar opozitës mendimi, gjykimi dhe vlerësimi i saj, për këtë proces që ne e kemi kërkuar dhe që vazhdojmë ta kërkojmë, për t’i dhënë vërtetë një zgjidhje gjithë problematikës politike. Ky është qëndrim i njëanshëm i pozitës”, tha Ruçi.

Menjëherë pas kësaj deklarate, ka reaguar kryetari i grupit parlamentar demokrat në cilësinë e negociatorit për PD-në Astrit Patozi.

Sot ne erdhëm shumë konkretisht, me një propozim real, i cili kishte të bënte me një kandidaturë e formalizuar tashmë dhe e dakorduar nga të gjitha anët e koalicionit qeverisës dhe na u dha e njëjta shprehje me të cilën Edi Rama ka hyrë në gjithë debatin për zgjedhjet e presidentit të Republikës, që ‘ne nuk pranojmë një noter të Partisë Demokratike’ ".

"Në bindjen tonë, kandidatura i plotësonte të gjitha kushtet për të qenë konsensuale dhe për të marrë edhe miratimin e opozitës. Por, unë dua të theksoj një gjë: që kur ne ishim teorikë, na u tha që duhet të ishim konkretë, tani që ishim konkretë, na thanë që nuk mund të votohet një noter i Partisë Demokratike".

"Tani, kësaj pozite nuk mund t’i mohohet kurrsesi e drejta e propozimit për presidentin e Republikës, dhe në rast se palët ulen në një tryezë, ato nuk mund të propozojnë të dyja njëkohësisht. Do të ketë një propozim të parë, dhe ky propozim i parë erdhi. Refuzimi kategorik i opozitës, mua nuk më befasoi, por gjithsesi më la një shije të hidhur”, u shpreh Patozi.

Ai tha se ajo çfarë ndodhi ishte skenar i parapërgatitur i PS-së për të bllokuar procesin e zgjedhjes së presidentit dhe reformat.

Ne gjithsesi, pavarësisht kësaj që ndodhi sot, ne sërish do të përpiqemi me shpresën që opozita do t’i thërrasë arsyes. Mendoj që pozita ende duhet të konsumojë përpjekjen e saj në mënyrë që ta bindë opozitën, apo t’i japë të gjitha garancitë e duhura opozitës, që të përfshihet edhe ajo në proces, sepse është në radhë të parë ne interesin e saj, që t’i japim vendit president sa më gjithëpërfshirës, sa më konsensual”, tha ai.

Megjithatë, pozitës i mbetet qëndrimi i shprehur për të vijuar me procesin e negocimit me Partinë Socialiste, me shpresën që në raundin e dytë të votohet presidenti konsensual.

Pak minuta pas këtij zhvillimi, u mblodh komisioni parlamentar i ligjeve, vetëm një orë nga zhvillimi i raundit të parë të votimit për zgjedhur presidentin, në pritje të depozitimit të kandidatëve për këtë proces.

Pozita nuk e regjistroi emrin e kandidatit të saj Xhezair Zaganjorit, gjë që ishte paralajmëruar se do të ndodhte nga kryetari i PD-së, njëkohësisht kryeministër i vendit, Sali Berisha.

Ai deklaroi një ditë më parë se në mungesë të konsensusit me opozitën, do te jetë i panevojshëm zhvillimi i një raundi votimi.

Kuvendi u mblodh për procedurë dhe sigurisht në mungesë të kandidatëve nuk u votua.

Neni 87 i Kushtetutës parashikon që raundi quhet i përfunduar edhe kur në të nuk paraqiten kandidatë, kjo çon te raundi i dytë i votimit, i cili sipas parashikimit kushtetues, zhvillohet 7 ditë nga zhvillimi i raundit pararendës të votimit.
XS
SM
MD
LG