Ndërlidhjet

Dialogu i Strukturuar - prioritete: krimi i organizuar e gjyqësori

  • RFE /RL

Bruksel (Foto nga arkivi)

Bruksel (Foto nga arkivi)

Në Bruksel të mërkurën është zhvilluar hapja e Dialogut të Strukturuar ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës në fushën e rendit dhe ligjit, që është nisja e një procesi, të cilin BE-ja e sheh si mundësi për të ndihmuar autoritetet e Kosovës të bëjnë përparim në përmbushjen e kritereve evropiane në fushën e rendit dhe ligjit.

Nga ana e Komisionit Evropian, në këtë takim ka marrë pjesë komisionari për Zgjerim Shtefan Fyle dhe komisionarja për Punë të Brendshme, Sesilia Malmstrom, ndërkaq nga Qeveria e Kosovës delegacionin e kanë udhëhequr zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, dhe ministrja për Integrime evropiane, Vlora Çitaku, dhe ministri për Punë të Brendshme, Bajram Rexhepi.

Duke folur pas nisjes së dialogut, Shtefan Fyle, ka thënë:

“Dialogu i strukturuar nuk është një zëvendësim i aspiratës evropiane, por bëhet me qëllim të afrimit të Kosovës me BE-në. Kemi diskutuar për fushat si gjyqësori, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar. Kjo është një qasje e re e Komisionit Evropian jo vetëm ndaj Kosovës, po tërë rajonit, por Kosova është ndër të parat, që përfiton nga kjo qasje e re”.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi lidhur me takimin, është shprehur:

“Ju premtoj juve, komisionar Fyle, se Kosova do të jetë partnere e mirë dhe serioze drejt procesit integrues të BE-së. Ne do të përmbushim obligimet tona në këtë proces. Duam ta falënderojmë Komisionin për përgjigjen pozitive për udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe shpresojmë se vendet anëtare të BE-së do ta mbështesin këtë proces”.

Takimi i së mërkurës nga zyrtarë të Komisionit Evropian është vlerësuar si një takim i frytshëm dhe është shprehur shpresa se do të vazhdojnë konsultimet dhe dialogët në këtë fushë.

Fusha e rendit dhe ligjit është identifikuar nga Bashkimi Evropian si fushë që është më e ndjeshme në tërë rajonin e Ballkanit, sidomos në Kosovë, prandaj gjithmonë kërkohet nga këto vende që të bëjnë më shumë kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe në reformimin e gjyqësorit.

Pritet që së shpejti Komisioni Evropian Kosovës edhe formalisht t’i dorëzojë një udhërrëfyes për procesin e liberalizimit të vizave, ndonëse në takimin e së mërkurës nuk është bërë fjalë vetëm për këtë çështje.

Po ashtu, pritet që Komisioni Evropian të vazhdojë të ndihmojë autoritetet e Kosovës edhe në fusha tjera, por siç është thënë, prioritet janë fushat e rendit dhe ligjit, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe reforma gjyqësore.

Të enjten, ndërkaq, në Bruksel, në Parlamentin Evropian do të zhvillohet edhe një debat për të ardhmen e misionit të EULEX-it, mision, i cili është në Kosovë pikërisht për të ndihmuar, monitoruar në fushën e rendit dhe ligjit, por që ka edhe kompetenca ekzekutive.(a.p.)


Prishtinë: (S’)vendoset ligji me dialog

Edona Peci

Qeveria e Kosovës e cilëson si hap përpara në integrimin evropian nisjen e dialogut për sundimin e ligjit me Komisionin Evropian.

Në kohën kur po vazhdojnë kritikat e ashpra drejtuar ekzekutivit kosovar që flasin për mungesë rezultatesh në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfaqësues të Qeverisë thanë se në kuadër të dialogut për sundimin e ligjit, do të konkretizohet një agjendë e përbashkët për këtë çështje.

Ministrja për Integrime e Kosovës, Vlora Çitaku, i tha Radios Evropa e Lirë se dialogu për sundimin e ligjit nuk mund të zëvendësojë procesin e integrimit evropian, por se do të jetë pjesë e rëndësishme e tij.

“Dialogu që po lansojmë sot nuk është zëvendësim për procesin e integrimit evropian, por është një mjet dhe instrument, të cilin ne do ta shfrytëzojmë për të bërë hapa përpara, para se realisht të hapim kapitujt e rëndësishëm për sundimin e rendit dhe të ligjit”, tha Çitaku.

Përveç ministres Çitaku në përbërjen e delegacionit kosovar janë edhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe ai i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.

Megjithatë, mbesin të panjohura veprimet e ardhshme që institucionet kosovare dhe evropiane do të ndërmarrin gjatë këtij dialogu.

Vendosja e sundimit të ligjit dhe luftimi i korrupsionit e krimit të organizuar janë synime kryesore të misionit evropian për sundimin e ligjit - EULEX.

Ndërkohë, ekzistojnë edhe Task-forca e Qeverisë kundër korrupsionit, Agjencia Anti-Korrupsion dhe Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit i themeluar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga - këshill ky që nuk është trup ekzekutiv, por që synon koordinimin ndërmjet mekanizmave përgjegjës për luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Mirëpo, Avni Zogiani, udhëheqës i Organizatës për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, e cilësoi të kotë shtimin e mekanizmave për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, ndërsa theksoi rëndësinë për funksionalizimin e mekanizmave ekzistues.

Zogiani foli për domosdoshmërinë e ekzistimit të vullnetit politik për këtë çështje.
Integriteti institucional nuk ndërtohet vetëm prej një dege të pushtetit, por duhet të ekzistojë një zinxhir institucionesh që kontrollojnë njëra-tjetrën.


“Integriteti institucional nuk ndërtohet vetëm prej një dege të pushtetit, por duhet të ekzistojë një zinxhir institucionesh që kontrollojnë njëra-tjetrën. Në rast se nuk funksionon njëra prej degëve kryesore të pushtetit, nuk mendoj se ndihmon krijimi i mekanizmave alternativë, siç janë këta këshilla”, u shpreh Zogiani, duke shfaqur dyshimin se dialogu për sundim të ligjit të jetë një ndihmesë për t’u përballur me problemet që sfidojnë sistemin e drejtësisë në Kosovë.
XS
SM
MD
LG