Ndërlidhjet


Hapja e zyrës administrative në pjesën veriore të Mitrovicës si themel i formimit të komunës së re në atë pjesë, sipas kreut të ekzekutivit, do të pasohet me një dialog që Qeveria e Kosovës mëton ta nis me komunitetin serb në veri.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi shprehet më se i bindur se projektet e qeverisë për veriun do të zbatohen edhe atë në bashkëpunim me banorët serbë të veriut.

Para kabinetit të tij qeveritar, Thaçi edhe të mërkurën tha se vendosja e komunikimit ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe serbëve lokalë në veri paraqet një nga angazhimet e ardhshme të qeverisë së tij.

Ne do të punojmë maksimalisht që t’i kemi edhe projektet tona konkrete sa i përket mundësisë për t’i dëgjuar shqetësimet, hallet dhe problemet e qytetarëve serbë në veri, në mënyrë që të kemi edhe projektin apo planin integrues edhe për ta në institucionet dhe shoqërinë kosovare”, deklaroi Thaçi.

Ndërkohë, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, i cili ka qenë mjaftë aktiv në diskutimet për veriun në Parlament, thotë se qeveria është vonuar për katër vjet që të nis dialogun me qytetarët në veri.

Sipas tij, qeveria mund të iniciojë dialog me të gjithë qytetarët në veri, përfshi edhe organizata joqeveritare që nuk kanë shkelur ligjet e Kosovës, por jo edhe me strukturat paralele të pushtetit të cilat funksionojnë ilegalisht dhe mbi bazën e lidhjeve të drejtpërdrejta me Serbinë.

Duhet të ketë ofertë të qartë. Besoj se efekti mund të jetë i madh, pavarësisht se njerëzit që kontrollojnë veriun politikisht dhe në aspektin e biznesit janë të lidhur me Serbinë. Me atë njerëz duhet të shihet mundësia që të shmanget çfarëdo lloj kontakti sepse ata janë në kundërshtim me ligjet e Kosovës, ndërkaq pjesa tjetër që është më e madhe janë në rregull sa i përket aspektit legal ose ligjor me Kosovën”, thotë Ramadani.

Një rrezik më vete që mund të sjell ndonjë proces dialogu i papërgatitur dhe pa ofertë, sipas Burim Ramadanit, do të mund t’i thellonte ndasitë mes autoriteteve të Kosovës dhe qytetarëve serbë në veri.

Në mungesë të ofertës mund të kthehen në bomerang të gjitha përpjekjet tjera. Pra, mund t’i largojë edhe ata serbë të cilët duan të jetojnë në sistemin e Kosovës dhe në momentin që shohin se nuk ka sinqeritet nga Qeveria e Kosovës, ata do të largohen nga çfarëdo afrie me Kosovën”, thekson Ramadani.

Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi nuk ka folur për ndonjë ofertë tjetër për serbët e veriut, përveç pakos së presidentit Ahtisari ku mes tjerash parashihet formimi i komunës së Mitrovicës së veriut dhe kompetenca shtesë për autoritetet e atjeshme lokale në fushën e arsimit, kulturës dhe shëndetësisë.

Sa i përket integrimit të minoriteteve, jemi duke punuar maksimalisht. Një nga këto veprime është edhe hapja e zyrës administrative në veri, e cila do t’i ketë shtatë drejtori me rreth 90 punëtorë me mandat ekzekutiv. Kjo zyrë do t’iu shërbejë të gjithë qytetarëve në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”, thotë Thaçi.

Pjesa veriore e Mitrovicës dhe tri komunat veriore të populluara me shumicë serbe kanë funksionuar jashtë juridiksionit të institucioneve të Kosovës dhe misioneve civile ndërkombëtare për më gjatë se 13 vjet.

Ajo pjesë i ka të shkëputura komunikimet me institucionet e shtetit të Kosovës, duke ruajtur lidhjet me shtetin serb.

Në këtë aspekt, në analiza të ndryshme është thënë se për normalizimin e gjendjes në veri një rol të theksuar mund të luaj edhe Serbi, fillimisht duke i shuar strukturat e saj në veri.

Megjithatë, kryeministri Thaçi nuk ka folur në asnjë rast për mundësinë e përfshirjes së Beogradit në dialogun që qeveria e tij synon ta nis me serbët e veriut.

Ndërkaq lidhur me vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Thaçi ka thënë se Serbia fillimisht duhet t’i zbaton marrëveshjet e arritura.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG