Ndërlidhjet

logo-print

Zgjidhja për Maqedoninë - fokusi tek emri jo te NATO


Flamur i iMaqedonisë dhe ai i Greqisë

Flamur i iMaqedonisë dhe ai i Greqisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk shohin arsye për brengosjen e qytetarëve të Maqedonisë nga zhvillimet e fundit në këtë vend apo edhe në rajonin më të gjerë si nga zhvillimet në Kosovë apo zgjedhjet e fundit në Serbi.

Kështu deklaroi ambasadori amerikan në Shkup, Pol Uollers, duke ritheksuar mbështetjen e Uashingtonit për integrimin euroatlantik të Maqedonisë.Gjithashtu, duke komentuar epilogun e samitit të Çikagos, Uollers tha se Maqedonisë nuk i duhet samit për t’u anëtarësuar në NATO, por zgjidhje e kontestit rreth emrit me Greqinë.

“Miqtë janë të sinqertë dhe nuk gënjejnë, pasi kjo nuk është në të mirën e çfarëdo lidhje qoftë. Mendoj se është më se i qartë edhe qëndrimi, të cilin sekretarja e Shtetit, Hilari Klinton e përsëriti kohë më parë se SHBA-të, në tërësi mbështesin procesin e dyerve të hapura të aleancës”.

“Në tërësi mbështesim përpjekjet e shteteve aspiruese për anëtarësim në NATO dhe në rastin e Maqedonisë, ajo ka përmbushur kushtet kryesore për anëtarësim në NATO dhe, sipas fjalëve të saj, dëshirojmë zgjidhjen e problemit rreth emrit që Maqedonia sa më parë të bëhet anëtare e aleancës“
, deklaroi Uollers.

Ambasadori Ullers shtoi se e kupton frustrimin e qytetarëve të Maqedonisë pas samtit të Çikagos, por u shpreh se ky epilog nuk është negativ për Maqedoninë, pasi zgjerimi nuk ishte në agjendën e këtij samiti.

“Ky nuk është rezultat negativ për Maqedoninë. Maqedonia dhe shtetet tjera që kërkojnë zgjerimin, nuk ishin në agjendën e këtij samiti, e as që kishte përpjekje që të jenë. Pra, ky nuk ishte një vendim negativ për Maqedoninë. Nëntëdhjetë për qind e debatit ishte për Afganistanin dhe situatën atje dhe pikërisht ky ishte qëllimi kryesor i samitit të Çikagos“, u shpreh Uollers.

Ambasadori amerikan nuk deshi të komentojë deklaratat emocionuese të kryeministrit Gruevski pas samitit të Çikagos për standarde të dyfishta të bashkësisë ndërkombëtare, por përsëriti se në NATO vlejnë rregullat e njëjta për të gjitha shtetet, pa përjashtim.

Uollers shprehu besimin për një partneritet të fuqishëm mes SHBA-ve dhe Maqedonisë - gjë që është dëshmuar përmes projekteve të përbashkëta dhe ndihmës financiare amerikane në vlerë prej 1 miliard dollarë gjatë 20 viteve të fundit. Ndërsa, i pyetur të komentojë zhvillimet në Greqi dhe pasojat ndaj integrimit euroatlantik të Maqedonisë, ambasadori amerikan u përgjigj:

“Unë nuk mendoj negativisht dhe nuk jam pesimist se ky proces nuk do të zgjidhet asnjëherë. Mendoj dhe jam i sigurt se do të zgjidhet. Duhet vetëm të ketë vullnet politik dhe lidership nga të dyja palët për kapërcimin e dallimeve dhe të sjellin vendime të rënda, të cilat ekzistojnë pasi sikur të mos ekzistonin, problemi do të zgjidhej shumë kohë më parë”.

“Nuk do të jetë e lehtë, kjo kërkon kompromise për vendime të dhimbshme dhe të vështira, por jam i sigurt se kjo do të ndodhë. Çështja është se kur dhe jo se a do të ndodhë një gjë e tillë“,
theksoi Uollers.

Ai tha se i takon kreut shtetëror të vendosë nëse do të ngrejë sërish padi të re para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por ritheksoi se vendimi i mëparshëm i Hagës është bilateral dhe nuk do të ketë ndikim juridik ndaj vendimeve të NATO-s, pasi ato miratohen me konsensus.

Ambasadori amerikan, Poll Uollers, në konferencën me gazetarë shprehu edhe brengosjen lidhur me gjendjen e lirisë së mediave në vend, ndërsa apostrofoi edhe korrupsionin si një problem serioz për shoqërinë që ka zënë vend edhe në raportin e Departamentit të Shtetit Amerikan.
XS
SM
MD
LG