Ndërlidhjet

Irlandë: Referendum për Traktatin Fiskal të BE-së

  • RFE /RL

Dublin, 30 maj 2012

Dublin, 30 maj 2012

Votuesit në Irlandë po votojnë në referendum, për të lejuar ose jo miratimin e traktatit të ri fiskal për Evropën, që synon forcimin e Eurozonës së trazuar.

Sondazhet e opinionit sugjerojnë se shumica e votuesve irlandezë do të mbështesin paktin e kryesuar nga Gjermania, i cili parasheh ndëshkimin e atyre vendeve të Eurozonës që dështojnë të balancojnë buxhetet.

Të drejtë vote kanë 3 milionë votues, ndërsa rezultatet zyrtare pritet të bëhen publike të premten.

Njëzetepesë nga 27 vendet anëtare të BE-së kanë nënshkruar të ashtuquajturin Traktat të Stabilitetit Fiskal. Vetëm Republika Çeke dhe Mbretëria e Bashkuar nuk e kanë nënshkruar. Asnjëra nga to nuk janë anëtare të zonës së euros.

Traktati do të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2013, nëse ratifikohet nga 12 vende të Eurozonës 17-anëtarëshe. Katër nga to tashmë e kanë ratifikuar.

Kjo do të thotë se refuzimi i votuesve irlandezë nuk do të ishte i mjaftueshëm për të ndaluar iniciativën.

Por, votimi kundër, megjithatë, do të rrezikonte që të minimizohej iniciativa, në kohën kur problemet fiskale në Spanjë dhe Greqi vetëm se po rriten.

Duke folur para gazetarëve në Bruksel, komisionari për çështje monetare i Bashkimit Evropian, Oli Ren, ka thënë se Eurozonës i duhet integrim më i thellë për të mbijetuar.

Sipas tij, monedha evropiane duhet të mbështetet nga politika të përgjegjshme fiskale dhe nga një bashkëpunim më i ngushtë ndërmjet vendeve anëtare të Eurozonës.

“Ne nuk do të jemi në gjendje të kapërcejmë problemet tona pa siguruar qëndrueshmëri fiskale”, ka thënë Ren.

Referendumi në Irlandë pason thirrjet e presidentit të ri francez, Fransua Holland, që politikat evropiane të përqendrohen në rritje dhe jo në kursime të ashpra. Një gjë e tillë, sipas tij, do të ishte çelësi i rimëkëmbjes së Evropës nga kriza ekonomike.

Irlanda tashmë ka marrë një paketë të ndihmës, në vlerë prej 106 miliardë dollarësh, nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Qeveria irlandeze ka paralajmëruar qytetarët se vota “kundër” në referendum do të rrezikonte shanset e vendit për të siguruar një tjetër paketë të ndihmës – nëse është e nevojshme në vitin 2013.

Aktivistët dhe një numër i vogël i sindikatave, që janë kundër Traktatit, thonë se ky është një kërcënim bosh i BE-së.

Zemërimi te ta është rritur pas zbatimit të masave të ashpra të kursimit për katër vjet dhe ndjenjës se vendi nuk mund të kontrollojë drejtimin e tij. (v.t.)
XS
SM
MD
LG