Ndërlidhjet

Prishtinë: Pushteti i pasur


Ilustrim
Ilustrim
Niveli i pagave, të cilat i marrin zyrtarët e lartë në institucionet e Kosovës, konsiderohet të mjaftueshme për një jetesë standarde në vend, por pasuritë që ata i kanë deklaruar, sidomos në tre vjetët e fundit, janë në s’përputhje me të hyrat që ata i kanë për punën që bëjnë, vlerësojnë përfaqësuesit e organizatave joqeveritare në Kosovë.

Pagat e zyrtarëve të lartë sillen prej rreth 1mijë e dyqind euro, e deri rreth 2 mijë e 800, sa është paga e presidentes Atifete Jahjaga.

Merita Mustafa, nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se pasuritë që kanë krijuar zyrtarët e lartë, ngrenë dyshimet lidhur me prejardhjen e tyre.
Është një dallim mjaft i madh, i cili nuk mund të shpjegohet në asnjë mënyrë...


“Është një dallim mjaft i madh, i cili nuk mund të shpjegohet në asnjë mënyrë, sepse shumë zyrtarë, të cilëve u ka ndryshuar pasuria e tyre për tri vite – pra ka një dallim të madh në mes asaj kur kanë hyrë në pushtet dhe tash - nuk përputhet as me ndonjë histori se ata kanë pasur ndonjë biznes, i cili do të kishte mundur që të siguronte të hyra të mjaftueshme për të arritur atë pasuri”.

“Pra, është një dallim mjaft i madh, të cilin KDI-ja e ka ngritur si shqetësim dhe për të cilin duhet kryer hetime se në çfarë mënyre ata i kanë arritur këto pasuri”, thotë Mustafa.

Mendim të ngjashëm shpreh edhe Petrit Zogaj, nga Organizata joqeveritare Lëvizja FOL. Ai thotë se në shumicën e formularëve ku zyrtarët e lartë kanë deklaruar pasurinë, vërehet se shumicën e pasurisë së paluajtshme jofamiljare e kanë përfituar që nga viti 1999 e deri më tash.

Përveç kësaj, Zogaj shpreh dyshimin se zyrtarët e lartë nuk kanë mundur të krijojnë pasuritë përmes pagave, e as përmes ndonjë biznesi, duke marrë parasysh, sipas tij, rrethanat ekonomike të pavolitshme për zhvillim të biznesit.

“Pagat që marrin këta zyrtarë publikë, paratë e deponuara që i kanë nëpër banka dhe gjithçka tjetër është në një s’përputhje të madhe. Nuk ka gjasë që të krijohet një pasuri aq e madhe sa ka aktualisht një zyrtar publik, përmes një page si shërbyes civil ose edhe për ndonjë biznes”, shprehet Zogaj.

Me dyshimet, të cilat i ngrenë përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, pajtohet edhe njohësi i rrethanave ekonomike në Kosovë, Ibrahim Rexhepi.

Dallimet ndërmjet pasurisë së deklaruar, parave të deponuara në banka, si dhe pagave që marrin zyrtarët e lartë, sipas tij, mund të nxjerrin një përfundim të logjikshëm.

“Kjo tregon se ata kanë edhe fitime të tjera, të ligjshme ose të paligjshme, të cilat mbesin bukur enigmatike dhe të pagjurmuara prej institucioneve që janë kompetente për ta analizuar prejardhjen e pasurisë dhe mënyrën e pasurimit të këtyre njerëzve”, vlerëson Rexhepi.

Por, organizatat joqeveritare kanë nxjerrë edhe një përfundim lidhur me deklarimin e pasurive të paluajtshme të zyrtarëve të lartë, sidomos kur ato gjenden në mjediset rurale. Sipas tyre, zyrtarët e lartë, i kanë fryrë çmimet e kësaj pasurie, të cilat nuk janë në përputhje me çmimet e tregut në Kosovë.

Zogaj thotë se zyrtarët e lartë i kanë vënë pasurisë së paluajtshme të tyre çmime sipas qejfit.
Deklarimi i pasurive të patundshme po bëhet sipas qejfeve të secilit dhe jo sipas çmimeve të tregut.

“Deklarimi i pasurive të patundshme po bëhet sipas qejfeve të secilit dhe jo sipas çmimeve të tregut. Kemi parë që, ta zëmë, te çështja e shpronësimit që po ndodh tash me autostradën, çmimi nuk sillet më shumë se, ta zëmë, më i larti 800 euro për një ar tokë”.

“Ndërkohë që , këta zyrtarë nuk përtojnë ta deklarojnë nga 3 mijë, 4 mijë apo 5 mijë euro, të njëjtën sipërfaqe të tokës”,
thekson Zogaj.

Mustafa thotë se, çmimet, sipas saj, të fryra, ngrenë dyshime se zyrtarët e lartë po përpiqen të krijojnë hapësirë për veprime të jashtëligjshme:

“Ekziston një tendencë e fryrjes së çmimeve të aseteve që i kanë këta zyrtarë të lartë, në mënyrë që më vonë të kenë mundësi që t’i shpëlajnë ato para në mënyra të ndryshme dhe të thonë se kanë pasur pasuri të tilla, të cilat i kanë shitur dhe me të cilat i kanë siguruar këto të ardhura për të ardhmen”.

Ndryshe, e gjithë kjo situatë, sipas Rexhepit, është krijuar për shkak të shumë defekteve dhe mungesave në mekanizmat ligjorë.

“Defekti i parë është se një spektër i ligjeve, duke përfshirë edhe ligjin kundër-mafia apo edhe ligjet, të cilat e hapin mundësinë për identifikimin e pasurisë, mbesin të bllokuara në procedurat e miratimit”.

“Prandaj, kjo situatë po shfrytëzohet në mënyrën më të egër. Ndërsa, Agjencia Kundër-korrupsion nuk e ka atë përgjegjësi dhe atë kompetencë që përveç deklarimit vullnetar apo me vetë-dëshirë të pasurisë së personave publikë, të shkojë më tutje në hulumtimin e tyre”, sqaron Rexhepi.

Ndryshe, përfaqësuesit e organizatave joqeveritare theksojnë se duhet të futen në funksion mekanizmat përgjegjës, në këtë rast prokuroria, që personat që kanë krijuar pasuri, e cila nuk mund të shpjegohet, duhet të sanksionohen, në mënyrë që të mos krijohen pasoja të ngjashme edhe në të ardhmen.

Monitor Corruptus
XS
SM
MD
LG