Ndërlidhjet

OKB kërkon hetim të pavarur të masakrës në Houla


Siri...
Siri...

Komisionarja e Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, Navi Pillaj, ka bërë thirrje për “hetime të shpejta, të pavarura dhe të paanshme ndërkombëtare” të masakrës në Houla, si dhe të të gjitha abuzimeve të tjera në Siri.

Duke folur të premten në një seancë urgjente të Këshillit në Gjenevë, Pillaj ka thënë se dështimi për të kryer hetime të tilla mund t’i kontribuojë një “konflikti të plotë, duke vënë të ardhmen e Sirisë dhe të të gjithë rajonit në “rrezik të madh”.

Pillaj tha se masakra në Houla mund të llogaritet në mesin e krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të tjera ndërkombëtare dhe “mund të jetë treguese e sulmeve sistematike kundër popullatës civile, të cilat kanë kaluar pa u ndëshkuar”.

Maskara në Hola ka nxitur zemërim të madh ndërkombëtar dhe ka shtyrë shumë vende perëndimore të dëbojnë diplomatët sirianë.

Pas mbledhjes së raporteve nga vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara në Siri, Pillaj tha se ushtria siriane ka përdorur tanke dhe artileri në zonat e Houlas më 25 maj.

Sipas saj, “disa raporte sugjerojnë se grupi paramilitar Shabiha, po ashtu mbështetës i qeverisë, ka ndërhyrë në Houla” dhe “mban përgjegjësinë për dhjetëra vrasje”.

Regjimi i presidentit sirian, Bashar al-Asad, ka thënë se hetimet e ushtrisë së tij kanë treguar se luftëtarët rebelë kanë masakruar fshatarët sunitë të Houlas, në përpjekje “për të shkaktuar grindje sektare”.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Suzën Rajs, ka hedhur poshtë pohimet e Damaskut, duke i quajtur ato “një gënjeshtër të hapur”

Unë mendoj se kjo thjesht është një gënjeshtër e hapur. Nuk ka asnjë provë faktike, që të vërtetonte këtë interpretim të ngjarjes”, ka thënë Rajs.

Ajo po ashtu ka kritikuar Rusinë për dërgimin e një tjetër anijeje me armë në drejtim të Sirisë. Rajs, megjithatë, tha se kjo nuk paraqet shkelje teknike të ligjit ndërkombëtar, pasi nuk ka embargo armësh kundër Sirisë.

Zyra e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se Moska nuk do të pengohet nga presioni i Perëndimit për të shprehur mbështetjen e saj për regjimin sirian.

Siria ka qenë për kohë të gjatë aleat i Rusisë. Ajo i ka siguruar Moskës bazën e vetme detare jashtë ish-Bashkimit Sovjetik, në portin e Tartusit.

Shifrat e Kombeve të Bashkuara flasin për më shumë se 10,000 të vrarë, shumica nga ta civilë, që nga shpërthimi i trazirave në Siri, në mars të 2011-ës.(v.t.)
XS
SM
MD
LG