Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Investimet në baza etnike


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë veriperëndimore, Menderes Kuçi, ka thënë se gjendja ekonomike bëhet edhe më e vështirë për popullatën shqiptare, ngase në vazhdimësi po anashkalohen investimet në Maqedoninë perëndimore me shumicë shqiptare, duke shprehur indinjatë se edhe së fundmi, tri investimet e huaja prej disa miliona eurosh, janë destinuar në Maqedoninë lindore.

“Edhe pse në përgjithësi në Maqedoni nuk ka ndonjë klimë të mirëfilltë pozitive për tërheqjen e investitorëve të huaj, megjithatë vetë cungimi i investimeve nga ana e Qeverisë me rishikimin e buxhetit, kryesisht për Maqedoninë perëndimore, me kapacitetet që ofron, sipas nesh, është dhe perspektiva zhvillimore e këtij vendi. Çkado që investohet në Maqedoninë lindore ose juglindore, është e kotë, sepse është sikur ajo popullorja me dorën e vet sharron trungun ku qëndron”, ka thënë Kuçi.

Ndërkaq, autoritetet qeveritare kanë bërë të ditur se brenda tre muajve do të dihet se kush do të menaxhojë me zonën ekonomike në Tetovë.

Ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini, ka theksuar se në vjeshtë do të dihet se kush do të jetë partneri privat i shtetit për menaxhim me zonën ekonomike në Tetovë, duke mundësuar kështu dhe funksionimin praktik të kësaj zone.

“Dokumentacioni për tenderim do të përfundohet këto ditë, me çka do t’u bëjmë thirrje dy kompanive që të aplikojnë në fazën finale dhe unë besoj se në fund të shtatorit apo në fillim të tetorit do të shpallim zyrtarisht se cilat nga këto dy kompani do të menaxhojnë me Zonën e Lirë Ekonomike në Tetovë”, ka bërë të ditur Saraçini.

Por, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Menderes Kuçi, është shprehur skeptik se deri në mbarim të vitit do të fillojë të ndërtohet në Zonën e Lirë Ekonomike në Tetovë.

Kuçi ka theksuar se vetë fakti se ingerencat për menaxhimin e investimeve të huaja i janë bartur zëvendëskryeministrit për çështje ekonomike, si dhe ministrit të Financave, po jo edhe ministrit të Ekonomisë, i cili është shqiptar, flet qartë se anashkalohen shqiptarët nga buxheti i shtetit.

“Pas kësaj, edhe ne, si Odë Ekonomike, nuk kemi një qasje të mirëfilltë se si dhe sa do të investohet në atë zonë, nuk ka transparencë nga ana e Qeverisë në këtë drejtim - jo vetëm për atë zonë, por në përgjithësi si shpenzohen mjetet e shtetit, si kalojnë projektet, kush konkurron dhe sipas çfarë kushtesh përzgjidhet një kompani e caktuar”, ka theksuar Kuçi.

Ndërkohë, autoritetet lokale të qytetit të Shkupit në mungesë të investimeve të huaja të drejtpërdrejta, kanë hartuar një studim për prezantimin e potencialeve investuese për rajonin e Shkupit, me të vetmin qëllim që investitorët vendorë dhe ata të huaj të njihen më në detaje me mundësitë dhe kapacitetet, me të cilat disponojnë rajonet që përfshijnë kryeqendrën, me ç’rast janë veçuar potencialet më atraktive nga më shumë degë të industrisë në këtë rajon.

“Ky studim, i cili do të thotë shumë për Maqedoninë dhe veçanërisht për komunat, me të vërtetë hapi një spektër për investitorët, të cilëve do t’u prezantohen zonat dhe fushat e mundshme për investim. Ne i njoftojmë përmes tij se cilat janë privilegjet nëse ata investojnë këtu dhe cilat hapësira dhe lokacione janë të lira për ndërtim”, ka thënë Sokol Mitrovski, kryetar i Komunës së Gjorce Petrovit të Shkupit, njëherësh një nga hartuesit e projektit.
XS
SM
MD
LG