Ndërlidhjet

Republika e Çadit është vendi i 91-të që njeh shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës.

Përmes një note verbale dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Qeveria e Republikës së Çadit ka konfirmuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ky shtet, njofton kabineti i Ministrisë së Jashtme.

“Qeveria e Çadit njofton MPJ të Republikës së Kosovës se Republika e Çadit edhe formalisht njeh Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”, thuhet në notën verbale të Qeverisë së Çadit.

Në njoftimin e Ministrisë, thuhet se një muaj më parë ministri i Jashtë, Enver Hoxhaj në Ambasadën e Çadit në Paris kishte zhvilluar një takim me Ministrin e Jashtëm të Çadit, Musa Faki Mahamat.

Aty, thuhet se ministri Hoxhaj kishte marrë konfirmimin nga homologu i tij, që Republika e Çadit shumë shpejt do të publikojë vendimin për njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Çadi ndodhet në pjesën qendrore-veriore të Afrikës. Çadi në veri kufizohet me Libinë, në lindje me Sudanin, në jug me Republikën e Afrikës Qendrore, në jug-perëndim me Kamerunin e Nigerinë dhe në veri-perëndim me Nigerin.

Republika e Çadit zë një sipërfaqe prej 1,284 milion km2 në brendi të Afrikës Veriore dhe në të banojnë diçka më shumë se milion banorë.
XS
SM
MD
LG