Ndërlidhjet

Sot varroset Hamzaj, institucionet ngushëllojnë familjen


Gjykata Kushtetuese, institucioni ku ka punuar së fundi Bardh Hamzaj
Gjykata Kushtetuese, institucioni ku ka punuar së fundi Bardh Hamzaj
Publicisti i njohur kosovar, Bardh Hamzaj, i cili ndërroi jetë papritmas një ditë më parë varroset sot në Gllogjan të Deçanit.

Institucionet dhe subjektet politikë kanë ngushëlluar familjen e Hamzajt për humbjen e të dashurit të tyre dhe publicistit të njohur.

Në telegramin e ngushëllimit të presidentes, Atifete Jahjaga, thuhet se “me vdekjen e hershme të Bardhit ju keni mbetur pa njeriun më të dashur të familjes suaj, por e gjithë shoqëria kosovare ka mbetur pa një gazetar të shkëlqyeshëm, pa një analist të rrallë dhe pa një punëtor të zellshëm”.

“Bardh Hamzaj ishte një nga emrat më të njohur të publicistikës në Kosovë dhe do të mbahet mend për punën e tij si drejtues i disa mediave. Do të mbahet mend për guximin, profesionalizmin e madh, mendimin e mprehtë analitik dhe kolegialitetin e pashoq”, thuhet në telegram.

Edhe kryeministri, Hashim Thaçi ka dërguar telegram ngushëllimi.

“Vdekja e hershme e Bardhit është humbje për familjen tuaj, miqtë dhe gjithë kolegët e tij. Bardh Hamzaj ka dhënë kontribut të çmuar në gazetarinë e Kosovës, me punën e tij të palodhshme si gazetar, redaktor dhe autor librash me vlerë për të lartë publicistike. Vdekja e Bardhit është humbje e një pene të rryer dhe e një mendjeje analitike që do t'i mungojë gazetarisë kosovare”, thuhet në telegramin e kryeministrit Thaçi.

Telegram ngushëllimi ka dërguar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
“Në këto momente të rënda të pikëllimit, AAK ndan dhimbjen me familjen Hamzaj, miqtë dhe të afërmit e Bardhit, me kolegët e tij nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ku ishte duke punuar së fundmi dhe me të gjithë komunitetin e gazetarëve, si dhe me të gjithë ata që e njohën dhe që kanë bashkëpunuar me të”, thuhet në telegramin e AAK-së.
XS
SM
MD
LG