Ndërlidhjet

logo-print

Mubarak dënohet me burg të përjetshëm

  • RFE /RL

Presidenti i rrëzuar i Egjiptit, Hosni Mubarak u dënua me burgim të përjetshëm, pasi që gjykata e shpalli përgjegjës për vrasjen e protestuesve paqësorë.
Gjykatësi Ahmed Refat e shpalli verdiktin.

“Gjykata i dënon të pandehurit e pranishëm, përveç të pandehurit të dytë, që është dënuar në mungesë. Së pari: e dënon Muhamed Hosni al-Sajid Mubarak me burgim të përjetshëm për veprat që e ngarkojnë atë për bashkëpunim në vrasje”, tha gjykatësi Refat.

Me burgim të përjetshëm dhe për akuzat e njëjta, u dënua edhe ish-ministri i Brendshëm i Egjiptit, Habib al-Adli.

Megjithatë, gjykata tha se rasti për korrupsion kundër dy djemve të Mubarakut, Ala dhe Gamal, është rrëzuar, derisa gjashtë ish-shefat e policisë u liruan.
Pas vendimit që është dhënë direkt në televizion, ka shpërthyer kaosi dhe përleshjet brenda sallës së gjyqit.

Dënimi maksimal për Mubarakun dhe të bashkakuzuarit e tij, ka mundur të jetë dënimi me vdekje.

Mubaraku ka dëgjuar verdiktin në një kafaz të gjykatës, ku u vendos në një karroce invalidësh. Ai u soll në gjykatë me helikopter, derisa brenda është futur me një shtrat spitali me rrotë.

Ish-lideri i fuqishëm, që mbante syze të errëta nuk ka shfaqur asnjë emocion, derisa gjykatësi e ka lexuar dënimin.

Njerëzit brenda sallës e quanin vendimin të “pavlefshëm”, duke mos u pajtuar me të.
Jashtë festohej dhe shumë këndonin "Zoti është i madh".

Ekipi mbrojtës i ish-presidentit të Egjiptit, ka thënë se do të apelojë dënimin.

Jasser Bahr,një anëtar i lartë i ekipit mbrojtës të Mubarakut ka thënë se verdikti shikuar nga çdo kënd është me “plot të meta legale”.

Skena kaotike kanë shpërthyer jashtë gjykatës.

Disa njerëz shfaqnin kënaqësinë pas vendimit, para se të shpërthenin përleshjet, të cilat i detyruan policët që të ndërhyjnë për të kontrolluar turmën.

Rreth pesë mijë policë dhe dy mijë ushtarë janë vendosur afër lokalitetit ku u mbajt procesi gjyqësor, një akademi policore afër Kajros.

Rreth 850 njerëz janë vrarë, shumica janë qëlluar për vdekje në Kajro dhe në qytete tjera të mëdha gjatë 18 ditëve të protestave masive në fillim të 2011-s, që çuan në largimin e regjimit të Mubarakut, në atë që njihej si “Pranvera arabe”, në të cilën u larguan nga pushteti edhe diktatorët e Tunizisë dhe Libisë.

Ndërkohë, mediat shtetërore thonë se Mubarak, që është mbajtur nën mbikëqyrjen e policisë në një spital, është dërguar me helikopter në burgun e Toras, jashtë Kajros, duke zbatuar kështu urdhrin e prokurorit të përgjithshëm, i cili bazohej në verdiktin e gjykatës.

Mubarak është udhëheqësi i parë arab që gjykohet nga populli i tij në një gjykatë.

Djemtë e Mubarakut do të mbesin në paraburgim, pavarësisht lirimit të tyre nga akuzat. Të mërkurën, prokurorët thanë se Ala dhe Gamal Mubarak do t’i nënshtrohen një procesi tjetër gjyqësor për manipulimin e tregut të aksioneve.(a.i.)
XS
SM
MD
LG