Ndërlidhjet

Kosovë: Pak ligje për luftimin e korrupsionit


Ilustrim
Ilustrim
Për të pasur suksese në luftën kundër korrupsionit, drejtuesit e institucionit që kanë për synim ta luftojnë këtë dukuri negative, thonë se duhet të ketë një vullnet më të madh nga të gjitha institucionet.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, konsideron se në këtë drejtim duhet të miratohen edhe ligje të tjera përveç ligjeve ekzistuese, në mënyrë që lufta kundër korrupsionit të jetë më e ashpër.

“Vullnet duhet të ketë, sepse vlerësoj se është një prej prioriteteve kryesore të institucioneve të vendit ( lufta kundër korrupsionit). Mendoj se vullneti duhet të shprehet në mënyrë që të krijohen kushtet që institucionet e pavarura të punojnë dhe të realizojnë punën e vet”.
Është bërë një progres në pavarësimin e gjyqësorit, mirëpo rezultatet e punës nuk po përkojnë me kushtet që po krijohen.

“Mendoj se po lëvizet në këtë drejtim po jo me shpejtësinë e duhur. Në legjislacion vlerësoj se po bëhen disa përpjekje që të kompletohet nomenklatura ligjore. Është bërë një progres në pavarësimin e gjyqësorit, mirëpo rezultatet e punës nuk po përkojnë me kushtet që po krijohen”, deklaron Preteni.

Agjencia Kundër Korrupsionit ka publikuar regjistrat e deklarimit të pasurisë të mbi 1,400 zyrtarëve të lartë publikë nga 3,656 sa janë të përfshirë në listën e atyre, të cilët i parasheh Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë.

Preteni thotë se edhe në këtë drejtim ka nevojë për ligje që ndihmojnë në verifikimin e pasurisë së zyrtarëve publikë.

“Diku rreth 95 për qind e zyrtareve e kanë deklaruar pasurinë. Ne bëjmë verifikimin e të dhënava, i krahasojmë ato me të viteve paraprake, i krahasojmë me të dhënat që ekzistojnë nëpër institucionet e tjera, në rend të parë tek Agjencia Kadastrale, tek Agjencia e Regjistrimit të Biznesit, dhe i krahasojmë me të dhënat që këta zyrtarë i deklarojnë”, sqaron Preteni.

Aktualisht, asnjë institucion nuk ka mundësi që të verifikojë prejardhjen e pasurisë së zyrtarëve publikë, pasi që deri më tash Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar ndonjë ligj që do të mundësonte një gjë të tillë. Kjo, sipas Pretenit, është një nga mangësitë në luftën kundër korrupsionit.

“Ky është problemi, te mangësia juridike që të vërtetohet prejardhja e pasurisë. Mendoj dhe them figurativisht që rrethi po mbyllet dhe mendoj që kjo duhet të ndodhë shumë shpejt. Gjatë vitit do të kemi Kodin e ri Penal që deklarimi i rrejshëm dhe mosdeklarimi i pasurisë do të jenë vepra penale”, shton Preteni.

Nga ana tjetër, drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, akuzon AKK-në se nuk është duke bërë sa duhet për ta luftuar korrupsionin.

Kryeziu thotë se Agjencia Kundër Korrupsionit nuk po mund ta kryejë mandatin që ka, pasi në atë institucion, siç shprehet ai, po ndikon politika.
Realisht, vetë agjencia nuk ka mundur t’i përmbushë të arriturat e veta dhe të qytetarëve...

“Realisht, vetë agjencia nuk ka mundur t’i përmbushë të arriturat e veta dhe të qytetarëve, ndoshta si pengesë e integriteti të mjaftueshëm dhe ndërhyrjeve politike në agjenci. Agjencia ka dhënë disa arsye që ka filluar të punojë, po nuk është e mjaftueshme dhe mendoj se ka neglizhencë në punën e agjencisë”, thotë Kryeziu.

Ndryshe nga Preteni, Kryeziu nga KDI-ja thotë se me ligjet ekzistuese mund të bëhet që personat e dyshuar se janë të korruptuar, të dalin para drejtësisë.

Megjithatë, infrastruktura ligjore është e mjaftueshme që agjencia të përmbushë mandatin e saj”, thekson Kryeziu.

Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku flitet për korrupsion, thuhet se: “Qeveria nuk ka zbatuar në mënyrë efektive ligjin. Ka pasur perceptim të gjerë publik për korrupsion në Qeveri. Mungesa e mbikëqyrjes gjyqësore dhe sundimi i dobët i ligjit i kanë kontribuuar korrupsionit në Qeveri”.

Më shumë lidhur me korrupsionin kllikoni në Monitor corruptus
XS
SM
MD
LG