Ndërlidhjet

logo-print

Shkup: Roli i ndërkombëtarëve në çështjen e emrit


Maqedonia

Maqedonia


Derisa partitë në pushtet nuk komentojnë kërkesat në rritje të komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e çështje së emrit, partitë opozitare nga ana tjetër, thonë se mesazhet e fundit të ambasadorit amerikan në Shkup, Pol Uollers, tregojnë qartë se pa zgjidhjen e këtij kontesti shumëvjeçar, nuk mund të pritet zhbllokimi i procesit të integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.

“Praktikisht, SHBA-ja është konsekuente në pozicionin e vet që nga fillimi. Gjithçka tjetër është çështje që duhet t'u drejtohet atyre që bartin përgjegjësinë në këtë shtet dhe përfundimisht ta marrin këtë përgjegjësi, e ajo është Qeveria e Maqedonisë”, thotë Andrej Petrov nga Lidhja Social-demokrate.

Analistët politikë, nga ana tjetër, mirëpresin angazhimin e ndërkombëtarëve në këtë çështje. Mirëpo, ata shprehen të ndarë në qëndrime nëse nga kjo do të kishte ndonjë epilog pozitiv.

Zvonimir Jankullovski, nuk beson në këtë, pasi, sipas tij, sistemi ndërkombëtar funksionon në bazë të fuqisë dhe interesit të shtetit.

“I tërë sistemi ndërkombëtar apo thelbi i funksionimit të sistemit ndërkombëtar bazohet në interesin e shteteve. Sistemi ndërkombëtar është kaotik, në të cilin dominojnë interesi dhe fuqia, kështu që efekte të mëdha nga e drejta ndërkombëtare nuk u panë as në rastin e Maqedonisë, e kam fjalën rreth vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”.

“Andaj edhe do të ishte naive që të presim diçka të madhe, se mund të ketë ndonjë përfitim të madh nga e gjithë kjo. Ne fituam të drejtën, por, për ta marrë atë, si duket do të duhet të presim edhe më tej”, thotë profesori univeristar, Zvonimir Jankullovski.

Ndërsa, Mersel Bilalli beson se ndërkombëtarët tani janë të përkushtuar në gjetjen e një force të re që do të mund të arrinte zgjedhjen, pasi pushteti aktual këtë nuk do ta bëjë.
Këto deklarata diplomatike mendoj se janë vetëm një mbajtje e kondicionit politik...

“Këto deklarata diplomatike mendoj se janë vetëm një mbajtje e kondicionit politik dhe jam i bindur se tani faktori ndërkombëtar luan në kartën e kohës duke menduar se lodhja e popullatës dhe varfërimi i saj do të ndikojë në ndryshimin e mendimit të tij dhe të imponojë ndryshime të caktuara pasi askush nuk beson se Gruevski do të mund ta zgjidhë emrin”, vlerëson Bilalli.

Analisti Bilalli shton se zgjidhje të këtilla mund të arrihen vetëm në një pushtet që ka kredibilitet dhe fuqi vendimmarrëse që në rastin e Maqedonisë, siç thotë ai, mungon një gjë e tillë.

“Zakonisht, këto projekte të mëdha ndërmerren kur faktori udhëheqës ka fuqi, ka kredibilitet dhe legjitimitet të caktuar - qoftë moral apo kredibilitet politik. Në këtë moment mendoj se ka një rënie rapide të pozicionit të pushtetit dhe fuqia e tij nuk është konform asaj që nevojitet për një zgjidhje të problemit lidhur me emrin”, thekson Bilalli.

Ditë më parë ambasadori amerikan në Maqedoni, Pol Uollers, duke folur për pritjet e anëtarësimit e Maqedonisë në NATO, tha se asaj nuk i duhet samit, por vetëm zgjidhje e çështjes së emrit që menjëherë më pas të bëhet pjesë e aleancës.

Ambasadori amerikan, Uollers, tha se zgjidhja është e vështirë dhe e dhimbshme por pavarësisht kësaj, ai shprehu besimin se ajo do të ndodhë shumë shpejt.
XS
SM
MD
LG