Ndërlidhjet

logo-print

Kosovë: Rriqrat po marrin jetë


Qendra Klinike Universitare e Kosovës

Qendra Klinike Universitare e Kosovës

Rriqrat në Kosovë tashmë kanë filluar të shfaqen. Dalja masive e rriqrave sipas infektologëve, vjen me ngrohjen e kohës.

Edhe pse këtë vit, ka pasur mjaft të reshura, rriqrat janë paraqitur sërish. Si pasojë e infektimit me ethe hemorragjike, një 14-vjeçar nga Malisheva ka humbur jetën. Këtë e thotë Izet Sadiku, infektolog në Klinikën Infektive.

“Këtë vit janë konfirmuar dy raste, që fatkeqësisht një ka vdekur. Klina, Rahoveci, Malisheva, pjesa e Dukagjinit janë rajonet më të atakuara me rriqra, por Malisheva bart virusin e etheve hemorragjike”, bën të ditur Sadiku.

Të dhënat e para për sëmundjen e etheve hemorragjike apo krime kongo, në Kosovë, datojnë që nga vitit 1954, vit kur janë konfirmuar tri raste të vdekjeve. Por, që nga viti 1954 deri më 1989 nuk ka të dhëna për këtë sëmundje.

Kurse, nga viti 1889 është shfaqur në mënyrë permanente me shpërthime epidemike të herëpashershme, sidomos në vitin 1991, 1995, 2001 dhe 2005, kanë deklaruar infektologët kosovarë.

Sipas drejtorit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, gjendja aktuale sa i përket epidemisë, është stabile. Ai thotë se edhe pse nuk është kompetencë e institucionit ku ai punon, me ekipet në terren kanë bërë dezinsektimin e pjesëve ku janë paraqitur rriqrat.
Gjendja aktuale epidemiologjike është stabile, por dezinsektimin e kemi bërë me ekipet tona...

“Gjendja aktuale epidemiologjike është stabile, por dezinsektimin e kemi bërë me ekipet tona, edhe pse nuk është obligim yni, është obligim i Ministrisë së Bujqësisë”.

“Megjithatë, instituti nuk është ndalur, sepse për dhënien e rekomandimeve për t’u mbrojtur nga ethet hemorragjike, krime- kongo, dhe për të vetëdijesuar popullatën se si të mbrohet, ne kemi bërë edhe diagnostikimin e sëmundjeve, kështu që situata është në kontroll të plotë”
, thotë Ramadani.

Por, jo edhe zyrtarë në Ministrinë e Bujqësisë thonë se është kompetencë e tyre të bëhet dezinsektimi i tokës. Lumir Thaçi, zëdhënës në Ministrinë e Bujqësisë, jep më shumë hollësi:

“Mandati i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë është që të mbrojë shëndetin e njerëzve dhe kafshëve, por që ne mbrojmë shëndetin e njerëzve përmes mbrojtjes së kafshëve. Ne mbrojmë nga ato sëmundje që paraqiten nga kafshët te njerëzit”.
Ne nuk kemi masa preventive që mund të ndikojmë direkt te shëndeti i njerëzve, sepse te kafshët nuk janë shenjat e njëjta klinike...

“Shenjat klinike që janë paraqitur të etheve hemorragjike që janë tash evidente te njerëzit, nuk janë të paraqitura edhe te kafshët. Andaj, ne nuk kemi masa preventive që mund të ndikojmë direkt te shëndeti i njerëzve, sepse te kafshët nuk janë shenjat e njëjta klinike”.

Megjithatë, Ramadani pohon se situata është nën kontroll, tash për tash, por shton se, pacientë të pickuar nga rriqrat pritet të ketë, por jo edhe shpërthime të mëdha.

Ndërkaq, Izet Sadiku thotë se ende nuk ka filluar frekuenca e madhe e pacientëve në klinikën ku ai punon.

“Këtë vit, nuk ka pasur edhe shumë frekuencë të pacientëve, por me ngrohjen e kohës, sigurisht që do të rritet frekuenca e pacientëve”, shton Sadiku.

Kosova, por edhe shumë vende tjera, sipas zyrtarëve shëndetësorë, kanë sëmundjet e caktuara që janë të lokalizuara në regjione të veçanta, dhe kjo është si pasojë e ndërlidhjes së shumë faktorëve të atij vendi.

Çrrënjosja e rriqrave, sipas tyre, nuk është ide e re, por koncepti shkencor dhe praktik është i atillë që kjo gjë nuk mund të bëhet.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG