Ndërlidhjet

Opozita nis protestat anembanë Maqedonisë


Lideri i LSDM-së Branko Cërvenkovski - foto nga arkivi.
Lideri i LSDM-së Branko Cërvenkovski - foto nga arkivi.
Partia më e madhe maqedonase në opozitë, LSDM, e udhëhequr nga Branko Cërvenkovski, nga e diela ka filluar protestat në qytetin e Strumicës, për të vazhduar gjatë javëve në vazhdim në të gjitha qytetet e Maqedonisë.

Kryetari i partisë, Branko Cërvenkovski, ka sqaruar se protestat kanë për qëllim t’i japin fund krizës së thellë, si dhe pozitës së mjerueshme të popullatës pas bllokimit të vazhdueshëm të vendit në procesin e integrimeve.

“LSDM-ja me gjithë kapacitetin e saj, me potencialet njerëzore, profesionale, ekspertët, në këtë periudhë është e angazhuar në gjetjen e mënyrës që ta lehtësojë jetën e vështirë të qytetarëve tanë. Për këtë qëllim japim propozim në Kuvend dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Ndërsa, prej sot këtë fillojmë ta bëjmë në kontakte të drejtpërdrejta”.

“Në periudhën e ardhshme kemi qëllim ta kalojmë gjithë Maqedoninë, çdo fshat, vend të banuar, lagje, do të përpiqemi t’i drejtohemi secilit qytetar individualisht. Për ne nuk do të ketë pushim, fundjavë - kjo do të jetë verë pune”, është shprehur Cërvenkovski.

Ofertës së LSDM-së për një front opozitar i janë përgjigjur vetëm disa parti më të vogla maqedonase, ndërsa Partia Demokratike Shqiptare ka theksuar se mund të jetë pjesë e cilitdo qoftë bllok maqedonas, që do të mbështesë paraprakisht ofertën e kësaj partie për një marrëveshje të re politike.

Ndërkohë, në kampin politik shqiptar është paralajmëruar formimi i frontit të tretë të partive më të vogla shqiptare, të udhëhequra nga RDK-ja e drejtuar nga Rufi Osmani, e cila në Parlament është e përfaqësuar me dy deputetë.

Ndryshe, analistët politikë kanë mendime të ndara sa i përket efektit të protestave të opozitës maqedonase pa sinkronizimin edhe me partitë politike shqiptare.

Alajdin Demiri ka thënë se përderisa nuk artikulohen kërkesat e opozitës mes partive politike shqiptare dhe atyre maqedonase, nuk mund të kenë sukses protestat si formë për të gjetur rrugë të dilet nga kriza aktuale, në të cilën ndodhet vendi, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë politik.

“Ftesa e Cërvenkovskit shqiptarëve u është bërë në mënyrë që ata ta refuzojnë, për arsye se kjo ftesë nuk bëhet në këtë mënyrë. Ftesa bëhet me përgatitje, ku do të ofroheshin garanci për ndryshimin e Kushtetutës, për zbatimin e një barazie të plotë, e tendenca tjera që do të ofronin zgjidhje konkrete për problemet ekonomike. Gjithsesi, protestat të jenë të planifikuara për çdo veprim”, ka theksuar Demiri.

Analisti Demiri ka potencuar se këto protesta nuk do të sjellin asnjë ndryshim për qytetarët, sepse ata e kanë kuptuar se Branko Cërvenkovski ka një qëllim të vetëm - “kthimin në pushtet dhe jo zgjidhjen e problemeve ekzistuese”.

Por, me këtë nuk është pajtuar analisti maqedonas Petar Arsovski, sipas të cilit në kushtet kur mediat janë të bllokuara sa i përket debateve për çështjet thelbësore me interes për qytetarët e Maqedonisë, ky kontakt i drejtpërdrejtë me qytetarët çdo javë nëpër qytet vendit, do të vë në lëvizje shprehjen e pakënaqësisë dhe njëherësh gjetjen e zgjidhjeve për problemet që dita-ditës e fundosin Maqedoninë.

“Unë mendoj se mitingjet do të sjellin efektin e duhur, për disa arsye. E para, sepse kanë vënë në lëvizje të gjitha aktivitetet e mundshme që mund t’i ndërmarrë LSDM-ja si parti opozitare. Dhe, e dyta, sepse ata drejtpërdrejt nga qytetarët do të njoftohen me problemet, ndërkohë që po këto dy çështje nëse mund të shprehem, ishin pika më të dobëta të opozitës që e bënë të humbë zgjedhjet”, ka potencuar Arsovski.

Sipas Arsovskit, opozita maqedonase ka shansin e rrallë, madje, të fundit që me veprime të vogla, duke shfrytëzuar pakënaqësinë e akumuluar te qytetarët, veçanërisht si pasojë e gjendjes së vështirë ekonomike, të përfitojë elektoratin, gjithsesi duke u treguar e sinqertë dhe duke ofruar zgjidhje konkrete për çështjet e caktuara në vend.
XS
SM
MD
LG