Ndërlidhjet

Për veriun - një apo dy dialogë?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Është ende herët të parashikohet se kur mund të realizohen kërkesat e autoriteteve ndërkombëtare për vendosjen e dialogut për veriun e Kosovës dhe vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd, thonë ish-zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe njohësit e rrethanave politike në Serbi, të cilët parashohin skenarë të ndryshëm për jetësimin e proceseve në fjalë.

Ata thonë se parametrat më të saktë për strukturën, formatin dhe agjendën e këtyre dialogëve mund të bëhen tek pasi të jetë zbutur rezistenca e serbëve të veriut ndaj autoritetit shtetëror të Kosovës dhe pasi të jetë definuar qasja e udhëheqësisë serbe ndaj Kosovës.

Profesori i Shkencave Politike në Universitetin e Beogradit, Predrag Simiq, thekson rëndësinë që t’i jepet kohë krijimit të qeverisë së re në Serbi për të parë ndryshimet eventuale që mund të ndodhin sa i përket përbërjes së delegacionit serb.

“Së pari duhet të shohim se kush do të jetë përgjegjës për negociatat me Prishtinën në Beograd - presidenti apo kryeministri?! Deri më tani, përgjegjës ishte presidenti Tadiq, por tani duhet të shohim se a do të merret presidenti i ri, Nikolliq, me këtë çështje apo do të jetë detyrë e kryeministrit”, thotë Simiq.

Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i dialogut të deritashëm teknik ndërmjet të dyja palëve, ndërkaq, është në pritje të themelimit të qeverisë së re serbe, e në të njëjtën kohë, ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e procesit.

Diplomatët evropian patën lënë të kuptohet se dialogu i deritashëm do të mund të shndërrohet në një proces politik, ku të dyja delegacionet do të bisedonin për çështjen e veriut të Kosovës.

Ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, tani deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sadri Ferati, kundërshtoi idenë për një dialog politik për veriun, duke theksuar nevojën për integrimin e asaj pjese në jetën institucionale e shoqërore të vendit.
...bisedimet dhe çfarëdo dialogu, pra në kuptimin e informimit e sqarimit që duhet të bëhet dhe bisedimet me Beogradin janë dy procese të ndryshme.

“Unë mendoj se bisedimet dhe çfarëdo dialogu, pra në kuptimin e informimit e sqarimit që duhet të bëhet dhe bisedimet me Beogradin janë dy procese të ndryshme”.

“(Këto) Asnjëherë nuk duhet të identifikohen, sepse do të ishte e dëmshme. Vetëm po të hyhet në bisedime për veriun me Beogradin do të thotë: 1. Vite të humbura, 2.Ushqimi i ambicieve (të Serbisë) dhe 3. Inkurajimi i rezistencës së dhunshme që po ndodh në veri
”, thekson Ferati.

Simiq, ndërkaq, shprehet pesimist rreth vullnetit të Beogradit për vazhdimin e dialogut apo adresimin e problemit të veriut si pjesë e këtij problemi.

“Edhe kur të jetë formuar qeveria e re, mendoj se ajo do të merret më shumë me situatën ekonomike, se sa me bisedimet me Kosovën”,shprehet Simiq.

Dialogu teknik ndërmjet Prishtinë e Beogradit nisi në mars të vitit të kaluar për të rezultuar, deri më tash, me shtatë marrëveshje brenda nëntë raundeve të diskutimeve ndërmjet palëve.

Derisa autoritetet në Kosovë këmbëngulin në dialog të brendshëm me serbët lokalë për problemin e veriut dhe shprehen kundër vazhdimit të dialogut teknik pa zbatimin e marrëveshjeve nga Serbia, në Beograd vazhdojnë paqartësitë për këtë çështje, pas zgjedhjes për president të Tomisllav Nikoliq dhe mungesës së marrëveshjes për krijimin e qeverisë së re.
XS
SM
MD
LG