Ndërlidhjet

SHBA: Klinton i zhvlerëson kërcënimet e Iranit


Hillari Klinton
Hillari Klinton

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, i ka hedhur poshtë kërcënimet e fundit të Iranit ndaj Izraelit, duke thënë se ato nuk paraqesin “asgjë të re”.

Zonja Klinton, po ashtu, ka këmbëngulë se ajo do t’i vlerësojë aksionet e Teheranit në bisedimet e ardhshme për programin atomik të këtij vendi.

Duke folur në një konferencë për shtyp në Stokholm të Suedisë, sekretarja Klinton tha se pret të shohë se çka do të sjellë Irani në tryezë të bisedimeve ndërmjet delegacionit iranian dhe përfaqësuesve të fuqive kryesore botërore, më 18 dhe 19 të këtij muaji në Moskë.

Ajo ka insistuar se do të dëshironte të shihte zgjidhje diplomatike “për të mirën e të gjithëve”.

Këto komente u bënë pasi lideri suprem iranian, Ajatollah Ali Hamnei, i ka hedhur një hije të zezë perspektivës së gjetjes së zgjidhjes për çështjen e programit bërthamor të Iranit.

Në një fjalim të ashpër, ai është kërcënuar se Teherani do të përgjigjet “stuhishëm” ndaj çfarëdo akti të agresionit nga ana e Izraelit, i cili më herët ka bërë thirrje për sulme ushtarake kundër kapaciteteve bërthamore të Iranit.

Në këtë kuadër, zoti Hamnei theksoi:

Izraelitët e dinë se nën këto kushte ata janë më të lëndueshëm se përpara dhe nëse ata e ndërmarrin ndonjë aksion të pamenduar mirë, do të hasin në shpërthim të stuhishëm”, tha Ajatollah Ali Hamnei.

Më tutje, gjatë fjalimit me rastin e shënimit të vdekjes së paraardhësit të tij dhe themeluesit të Republikës Islamike të Iranit, Ajatollah Ruhollah Homeini, zoti Hamnei, e ka akuzuar perëndimin për gënjeshtra lidhur me programin bërthamor të Iranit.

Politikanët ndërkombëtarë dhe mediat flasin për Iranin atomik, se Irani atomik është i rrezikshëm. Unë them se ata po gënjejnë. Ata po mashtrojnë. Gjëja nga e cila ata me të vërtetë frikësohen dhe duhet të frikësohen është Irani islamik, e jo Irani atomik”, tha Ali Hamnei.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore kanë shprehur dyshime se Irani po punon për arritjen e kapaciteteve për armatim atomik, por Teherani insiston se programi i tij shërben për qëllime paqësore dhe në kuadër të të drejtave të tij.

Muajin e kaluar në Bagdad të Irakut, gjashtë fuqitë botërore, pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Gjermania, kanë kërkuar që Irani ta ndalë pasurimin e uraniumit në shkëmbim për pjesë rezervë për aeroplanë civilë.

Niveli i pasurimit të uraniumit prej 20%, që është niveli më i lartë që Irani e ka pranuar publikisht, i ka shqetësuar liderët perëndimorë.

Teherani pat thënë se mund ta shqyrtoj pezullimin e pasurimit 20%, vetëm nëse perëndimi përkushtohet për tërheqjen e sanksioneve aktuale të ashpërsuara ekonomike, përfshirë edhe kufizimet në importin e naftës nga Irani. (f. b.)
XS
SM
MD
LG