Ndërlidhjet

logo-print

S'ka më produkte me UNMIK/Kosovo



Në tregun kosovar nuk do të ketë më produkte me mbishkrimin UNMIK/Kosovo, produkte këto që në të shumtën e rasteve janë importuar nga shteti i Serbisë.

Kështu bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë, Ruzhdi Shehu, kryeinspektor i inspektoratit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë

Ai tregoi se inspektorët e kësaj ministrie, të hënën kanë kontrolluar shumë dyqane, dhe vërehet se kompanitë importuese, tashmë kanë vendosur etiketat deklaruese me mbishkrimin Kosova.

Edhe pse disa nga produktet mungojnë etiketat e reja.

Deri më tani, nga raportet që kemi pranuar nga inspeksioni i tregut në nivel të vendit, jemi të kënaqur në aspektin e respektimit të shumica e importuesve, apo subjekteve ekonomike. Në përjashtim të disa produkteve që janë hasur sidomos më origjinë nga Serbia”, thotë Shehu.

Këtë e pohojnë edhe inspektorët në terren.

Gjatë një inspektimi në një subjekt afarist në qendër të Prishtinës, ekipi ynë ishte dëshmitar se kompanitë importuese, mbi etiketat UNMIK/KOSOVO, kishin vendosur emrin Kosova.

Por, megjithatë, kishte edhe disa artikuj në vitrinat e dyqaneve që kishin mbetur me mbishkrimin UNMIK- Kosovo.

Në këtë rast ka pasur 10 copa sodë bikarbone, 500 gramë, që ende e mbajnë mbishkrimin UNMIK/ Kosovo, Makarona 38 copa, pastaj lëngje Fruktal, 1 litër, 27 copa”.

Në një subjekt tjetër, vaji diamant, janë hasur 267 litra, margarina Diamant 38 copë, dhe lëngje Fruktal, 1.5 litra janë hasur 128 copa”, thotë inspektori mbikëqyrës i tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Afrim Fana.

Autoritet kompetente, para një muaji kishin paralajmëruar kompanitë importuese dhe pronarët e dyqaneve se në të gjitha produktet më mbishkrimin UNMIK/ Kosovo, të vendosen etiketa më mbishkrimin importi për Kosovë.

Në të kundërtën, Ruzhi Shehu, paralajmëron se ndaj kompanive jopërgjegjëse do të ndërmerren masa.

Në këtë drejtim, përgjegjësinë e mbajnë kompanitë importuese, por njëkohësisht mban përgjegjësi edhe tregtari më pakicë, sepse ai e di se vendimi është në fuqi. Dhe nga 1 qershori, nuk lejohet qarkullimi në tregun e brendshëm”.

Prandaj, ata duhet të jenë të kujdesshëm që produktet e tilla, nuk guxojnë të ofrojnë për konsumatorë dhe nuk guxojnë t’i lëshojnë në qarkullim. Sigurisht që edhe ndaj kompanive importuese por edhe tregtarëve më pakicë do të ketë gjoba, nga 2 mijë deri në 10 mijë euro”, shprehet Shehu.

Ndryshe, që nga 1 maji, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ka marrë vendim që asnjë produkt më mbishkrimin UNMIK/Kosovo të mos lejohet të hyjë në territorin e Kosovës.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, konfirmon se në asnjërën nga pikat kufitare nuk është regjistruar hyrja e mallrave me këtë mbishkrim

Prej momentit kur MTI-ja ka marrë vendim që të mos lejohet as një produkt më mbishkrimin UNMIK/Kosovo, në Doganat e Kosovës, nuk kemi hasur asnjë rast me të cilin kemi ndalur mallra që kanë përmbajtur kësi lloj mbishkrimi”.

Por, normalisht, nuk e përjashtoj mundësinë që produkte të tilla, mund të gjenden në tregun e Kosovës, për shkak se kanë mundur të futen për mes rrugëve ilegale, përmes veriut”, thekson Stavilevci.

Për këtë çështje, patën reaguar edhe subjektet ekonomike në vend, duke apeluar te të gjithë përfaqësuesit kosovarë të kompanive serbe që importojnë produkte nga Serbia, të mos pranojnë veprime të tilla të kundërligjshme.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG