Ndërlidhjet

logo-print
Sektori i bujqësisë në Kosovë vazhdon të mbetet njëri ndër sektorët më të pazhvilluar, pavarësisht faktit se ky sektor gjeneron zhvillim të madh ekonomik, vlerësojnë ekspertë të bujqësisë dhe përfaqësues të bujqve të Kosovës.

Halim Gjergjizi, profesor i politikave bujqësore, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka mbështetje afatgjate institucionale për sektorin e bujqësisë. Sipas tij, subvencionet e bëra për bujqit nga Qeveria e Kosovë janë të pamjaftueshme.

“Bujqësia, sidomos në periudhën e pasluftës, po ballafaqohet me probleme të mëdha zhvillimore që nuk po e lejojnë që kjo lëmi të jetë me interes dhe fitimprurëse për ata që dëshirojnë të merren me këtë aktivitet. Kushtet janë, por faktori organizativ, faktori njeri nuk është i përqendruar, nuk kontribuon dhe nuk e mbështet aq sa duhet bujqësinë”, thotë Gjergjizi.
Kushtet janë, por faktori organizativ, faktori njeri nuk është i përqendruar, nuk kontribuon dhe nuk e mbështet aq sa duhet bujqësinë...
Ajo se çfarë duhet bërë institucionet e Kosovës për sektorin e bujqësisë, sipas profesor Halim Gjergjizit, është përgatitja e një strategjie, brenda së cilës duhet të ketë produkte me avantazhe konkurruese, produkte, siç thekson ai, që mund të jenë konkurruese, si në tregun e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm.

“Aktualisht, kemi një zhvillim kryesisht spontan. Njerëzit merren me gjithçka po nuk merren me produktet që mund të jemi konkurrent, si brenda shtetit, ashtu edhe jashtë. Shumica e produkteve, momentalisht, të cilat importohen nga jashtë janë konkurrente ndaj produkteve bujqësore vendore”, thekson Gjergjizi.

Mjaft kritik për gjendjen në sektorin e bujqësisë shprehet Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës. Ai thotë se nuk janë të kënaqur me gjendjen, në të cilën ndodhet ky sektor.

“Nuk jemi absolutisht të kënaqur. Arsyeja është se ne në Kosovë vetëm me patate dhe vezë i plotësojmë nevojat e popullatës së Kosovës, me produkte tjera bujqësore nuk mund të arrijmë as 40 për qind të nevojave. Për shembull, me grurë i plotësojmë nevojat 40 deri në 50”, thekson Tahiri.

Sidoqoftë, zhvillimi i sektorit të bujqësisë është një ndër prioritetet e Qeverisë së Kosovës, në kuadër të planit të zhvillimit ekonomik për periudhën 2011-2014.

Në këtë plan, ky sektor konsiderohet si një nga potencialet më të mëdha për uljen e papunësisë në vend dhe që parandalon shpërnguljen e banorëve nga viset rurale në ato urbane.

Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behramaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se përmirësimi i bujqësisë është një nga detyrat kryesore të kësaj ministrie. Ai thotë se krahasuar me vitet e kaluar, tani në këtë sektor ka një gjendje më të mirë.

Sektori i bujqësisë është sektori që ka përfituar më së shumti rritje të buxhetit në vitet e fundit.
“Sektori i bujqësisë është sektori që ka përfituar më së shumti rritje të buxhetit në vitet e fundit. Ka rritje mbi 200 për qind nëse krahasojmë me buxhetin që qeveritë e kaluara i kanë ndarë këtij sektori. Gjatë këtyre viteve ne për herë të parë kemi filluar t’i përkrahim në mënyrë të drejtpërdrejtë fermerët dhe nuk mund të quhet si sektor i injoruar, sepse vetëm vitin e kaluar kanë përfituar 29 mijë e 500 fermerë nga ministria”, shpjegon Behramaj.

Behramaj bën të ditur se Ministria e Bujqësisë në vitin e kaluar në sektorin e bujqësisë ka investuar rreth 10 milionë euro, ndërsa në këtë vit së bashku me grantet investive janë rreth 32 milionë euro që do të ofrojnë si përkrahje të drejtpërdrejtë deri në fund të vitit.

“Ministria e Bujqësisë vazhdimisht ka përfituar rritje të buxhetit më shumë se ministritë tjera dhe do të ketë përsëri rritje. Me rritje të buxhetit ne po mundohemi t’i rrisim edhe kapacitetet absorbuese të fermerëve dhe t’i përmirësojmë aftësitë e tyre konkurruese, sepse rritja e kapaciteteve të fermerëve është kruciale, ngase buxheti nuk po mund të rritet në mënyrë të pa kontrolluar. Po ashtu, me këtë ne po mundohemi të formalizojmë edhe veprimtaritë bujqësore të fermerëve”, shton Behramaj.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG