Ndërlidhjet

Financial Times: Shqetësimet e Ballkanit


Ilustrim

Ilustrim


“ Financial Times ”

Korrupsioni, krimi i organizuar dhe sistemet gjyqësore lehtë të ndikueshme nga presioni politik shpjegojnë se pse BE-ja duhet të jetë e kujdesshme, para se të vazhdojë zgjerimin e anëtarësimit të bllokut me shtetet aspiruese të Ballkanit Perëndimor.

Edhe në qoftë se ekonomitë e tyre janë mjaft të fuqishme për të merituar hyrjen - e që nuk janë - asnjë nga shtetet që presin në radhë te dera nuk do ta ketë të lehtë, që në një afat të shkurtër, t’i përmbushë standardet e kërkuara nga BE-ja me ndershmëri dhe paanshmëri në jetën publike.

Ky nuk është një argument për t’ua përplasur derën vendeve të Ballkanit, ose siç kanë bërë disa qeveri të BE-së me Turqinë, duke pretenduar se po ofrojnë anëtarësimin, ndërsa privatisht duke sabotuar përparimin e saj.

Duke lënë Ballkanin jashtë dhe në të ftohtë, zor se do të kurohet rajoni nga tendencat e nacionalizmit, dhuna politike dhe çrregullimet sociale, që më shumë se një herë kanë eksportuar tensionet edhe në pjesën tjetër të Evropës gjatë shekullit të kaluar.

Prandaj, është një ide e mirë për BE-në që të hapë bisedimet zyrtare për anëtarësim me Malin e Zi gjatë këtij muaji dhe shpresohet, me Serbinë në një të ardhme të afërt.

Për korrupsionin dhe krimin e organizuar, sidoqoftë, negociatorët e BE-së duhet të caktojnë një kufi të lartë - siç bënë me Kroacinë, e cila vitin e ardhshëm do të bëhet anëtarja e 28-të e BE-së.

Për shkak se popullsia e Malit të Zi mezi i kalon 630 mijë vetë, nuk është justifikim që të mbahet një qëndrim i butë ndaj shtetit, që jo shumë kohë më parë ishte aq i famshëm për kontrabandën e cigareve sa edhe për flamurin e tij me shqiponjën me dy krerë.

Ka një erë të hipokrizisë rreth ndershmërisë së lartë të BE-së. Disa vende që tashmë janë pjesë e bllokut nuk përmbushin në çdo aspekt standardet e vetë BE-së.

Por, realiteti politik është se shtetet evropiane perëndimore, ndihen se kanë bërë gabim duke pranuar Bullgarinë dhe Rumaninë në vitin 2007, meqë asnjëri vend nuk e kishte trajtuar siç duhet problemin e nivelit të lartë të korrupsionit dhe përhapjen e krimit të organizuar. Kjo përvojë kontribuoi në “lodhjen zgjeruese”, në Evropën Perëndimore, një prirje e intensifikuar me ngecjen e standardeve të jetesës, rritjes së papunësisë dhe krizës së borxheve në eurozonë.

Mënyra më e mirë për BE-në që të dëbojë një lodhje të tillë dhe të gjenerojë stabilitet afatgjatë në Ballkan është që të punojë së bashku me forcat reformiste të rajonit për të eliminuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Atëherë, kombet e Ballkanit mund të marrin vendin që u takon si anëtare të familjes së BE-së.(a.i.)
XS
SM
MD
LG