Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Edhe një bllok i partive shqiptare


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Partitë e vogla opozitare në Maqedoni kanë filluar tashmë koordinimin për formimin e grupimit të tretë të partive opozitare, në të cilin nuk do të bënte pjesë partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike Shqiptare.

Nisma për këtë bashkëpunim, siç thonë nga Rilindja Demokratike Kombëtare e Rufi Osmanit, ndërmerret për shkak të dështimit të partive aktuale.

Përveç RDK-së, në këtë grupim, do të bënte pjesë partia e Bardhyl Mahmutit, Bashkimi Demokratik Shqiptar dhe Demokracia e Re që drejtohet nga Kastriot Haxhirexha.

“Kjo mendoj se është nevojë e kohës, është diçka që duhet bërë. RDK-ja vazhdon të mbajë vullnetin se bashkimi i opozitës do të çonte deri te një fitore e opozitës, sepse edhe shifrat e rezultateve të zgjedhjeve të kaluara tregojnë se opozita e bashkuar ka më shumë vota sesa pozita aktuale”.

“Por, kjo kërkon bashkimin e të gjithëve se të përçarë opozitarët nuk do ta kishin rezultatin që do ta kishin por të ishin të bashkuar”, deklaron Artan Dika, nga Rilindja Demokratike Kombëtare.

Kjo parti, aktualisht në Kuvendin e Maqedonisë është e përfaqësuar me dy deputetë, ndërsa dy partitë tjera që pritet t’i bashkohen grupimit, nuk kanë deputetë, por që në zgjedhjet e para një viti kanë marrë një numër konsiderueshëm të votave.

RDK-ja, sipas Dikës, është e gatshme që t’i shtrij dorën e bashkëpunimit edhe subjektit që aktualisht është në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim, për të zgjidhur çështjet e hapura që tani 20 vjet nuk po arrijnë të kenë zgjidhje.

“Ne jemi për bashkimin edhe të të gjithë bllokut politik shqiptar, duke përfshirë edhe partinë politike shqiptare në pushtet, në mënyrë që ne t’i shtrojmë dhe t’i zgjidhim disa çështje, të cilat janë vitale për shqiptarët në Maqedoni - domethënë shqiptarët në Kushtetutë vazhdojnë të jenë bashkësi si pakicat tjera, ndërsa maqedonasit vazhdimisht janë popull - çështjen e gjuhës, çështjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Pra, ne jemi të hapur për të krijuar një bllok unik shqiptar për të zgjidhur çështjet kardinale të shqiptareve”, thekson Dika.

Ndërkohë, sa i përket kësaj nisme, në opinion ka pasur vlerësime të ndryshme nga analistët politikë. Disa e kanë quajtur, “nismë të re nga politikanë të vjetruar”, e disa të tjerë kanë shprehur besimin se iniciativa mund të rezultojë me sukses duke marrë parasysh dështimet nga partitë më të mëdha.

Ismet Ramadani, analist, thotë se rezultatet e opozitës shqiptare do të ishin më evidente sikur të mos dështonte nisma e mëparshme për bashkëpunim ndërmjet RDK-së dhe PDSH-së, së Menduh Thaçit, e cila, dështoi ende pa u konkretizuar për shkak të divergjencave që kishin lidhur me bashkëpunimin me opozitën maqedonase.

“Sikur të kishte bashkëpunuar kjo opozitë dhe t’i ishin bashkangjitur asaj edhe partitë tjera të opozitës shqiptare, do të krijohej një konkurrencë mes pozitës dhe opozitës shqiptare dhe kjo do t’i ndihmonte shumë edhe partisë në pushtet pasi kur opozita për nga forca e saj politike do të ishte afër partisë shqiptare që është në pushtet, edhe ajo do të ishte edhe më e kujdesshme dhe shumë më produktive”, shprehet Ramadani.

Përveç në bllokun shqiptar, lëvizje për bashkëpunim ka edhe te partitë maqedonase. Pas bllokut opozitar të formuar nga LSDM-ja e Branko Cërvenkovskit, grumbullim të partive më të vogla tashmë ka iniciuar edhe Lubço Georgievski, ish-kryeministër dhe drejtues shumëvjeçar i VMRO-DPMNE-së, e cila, tash udhëhiqet nga kryeministri aktual, Nikolla Gruevski.
XS
SM
MD
LG