Ndërlidhjet

logo-print

KE studion politikat ekonomike të Kosovës


Ndërtesa e shtabit të Komisionit Evropian në Bruksel.

Ndërtesa e shtabit të Komisionit Evropian në Bruksel.

Autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar se këto ditë, do të finalizohet pyetësori për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe njëherësh kanë shprehur gatishmërinë për zbatimin e rekomandimeve të dala nga dokumentet relevante të Komisionit Evropian.

Kështu tha ministri i Financave, Bedri Hamza, gjatë një takimi që kanë pasur më zyrtarë të Komisionit Evropian, ku është diskutuar për ekonominë evropiane, statistikat dhe kontrollin financiar në procesin e stabilizim-asociimit dhe dialogut.

Ministri Hamza, po ashtu, ka shprehur përkushtimin e ekzekutivit për integrimin evropian dhe plotësimin e standardeve të kërkuara në këtë rrugë.

“Qeveria e Kosovës ka për prioritet integrimin evropian dhe është e përkushtuar në zbatimin e rekomandimeve të dala nga dokumentet relevante dhe nga dialogu i vazhdueshëm me Komisionin Evropian, që kanë për qëllim plotësimin sa më të shpejtë të standardeve të kërkuara në këtë rrugë”, ka thënë Hamza.

Avancimi i mekanizimit përcjellës në dialogun e procesit të stabilizim- asociimit, ka theksuar Hamza, janë rezultat i përkushtimit të institucioneve kosovare, si dhe përkrahjes së vazhdueshme të Komisionit Evropian.

“Aktivitetet e ndërmarra nga Ministria e Financave dhe institucionet që sot janë këtu, kanë për qëllim plotësimin e rekomandimeve dhe tejkalimin e sfidave të identifikuara".

Bedri Hamza

Bedri Hamza

“Për më tepër, sot kemi kënaqësinë që të diskutojmë me përfaqësues të Komisionit Evropian, në cilësinë e misionit faktmbledhës për Studimin e Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Siç jeni në dijeni, këto ditë do të finalizojmë përgjigjet në pyetësorin e pranuar nga Komisioni Evropian për këtë çështje”, është shprehur Hamza.

Ndërkaq, Carole Garnier, nga Komisioni Evropian, ka vlerësuar hapat e institucioneve vendore që kanë ndërmarrë në përmirësimin e politikave ekonomike, përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes, madje i ka inkurajuar autoritetet kompetente që të vazhdojnë të ulin edhe më tutje koston e biznesit në Kosovë.

“Dialogu ynë tash po vjen në momentin kyç që nga lansimi i Studimit të Fizibilitetit nga Komisioni Evropian për përgatitjen e Kosovës që të nënshkruajë Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim. Ky studim do të zëvendësojë më pas Studimin e Fizibilitetit, në bazë të të cilit merren pamjet e qarta për zhvillimin e Kosovës”, ka theksuar Garnier.

Komisioni Evropian ka lansuar Studimin e Fizibilitetit për Kosovën pas konstruktivitetit që ka luajtur pala kosovare në dialog me Beogradin. Ky studim është thënë se do t’i paraprijë një procesi që do të zgjasë më shumë për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG