Ndërlidhjet

logo-print

Reforma zgjedhore, peng i liderëve politikë


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Reformat zgjedhore ende mbeten peng i një konsensusi të liderëve të partive politike në Kosovë.

Zyrtarët e Komisionit për Reforma Zgjedhore të Kuvendit të Kosovës, thonë se çështjet e natyrës teknike-juridike tashmë janë trajtuar dhe sistemuar në draft-ligjin për zgjedhjet, por ngecjet janë të theksuara ende lidhur me çështjet e natyrës politike, siç janë çështja e zonave zgjedhore, e pragut zgjedhor dhe listave zgjedhore.

Haki Demolli, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe kryetar i Komisionit për Reforma Zgjedhore, thotë se pas vazhdimit të mandatit të këtij komisioni, është mbajtur një takim me partitë politike, ndërkohë që takimi i dytë, i cili është paraparë të mbahet në fillim të këtij muaji, nuk është mbajtur fare, për shkak se ka munguar lideri i Partisë Demokratike të Kosovës.

Demolli thekson se Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë është e gatshme për takim dhe se i ka diskutuar mundësitë për koncesionet e mundshme.

Haki Demolli

Haki Demolli

“Në takimin e fundit të kryesisë së LDK-së është diskutuar për të katërtën herë, pikërisht çështja e sistemit zgjedhor dhe LDK-ja është e gatshme që të dalë në takimin e radhës me liderët politikë me propozime alternative, çka do të thotë se është e gatshme të bëjë koncesione të caktuara”.

“Kuptohet, në formë të pakos alternative, që njëherësh kërkon edhe koncesione prej subjekteve të tjera politike, në mënyrë që të përafrohen qëndrimet e tyre”, thotë Demolli.

Ndryshe, Behar Selimi, deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se lidhur me çështjet kontestuese në procesin e reformave zgjedhore, për të cilat kërkohet konsensus, ky subjekt politik është ende duke diskutuar brenda për brenda vetë subjektit.
Procesi mendoj se është ngadalësuar si rezultat i mungesës së pajtimit në mes të liderëve të partive politike.

“PDK-ja akoma është duke diskutuar, për këto çështje, brenda partisë. Kurse, procesi mendoj se është ngadalësuar si rezultat i mungesës së pajtimit në mes të liderëve të partive politike. Si duket, çdo subjekt politik është pajtuar që liderët e partive të jenë ata, të cilët do të dalin me oferta konkrete rreth reformës zgjedhore lidhur me ato tri çështje”, shprehet Selimi.

Në anën tjetër, deputeti Demolli nuk ka dhënë ndonjë detaj rreth asaj se cilat do të jenë qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës në takimin e radhës ndërmjet liderëve të subjekteve politike, lidhur me reformat zgjedhore.

“Para takimit, në të cilin sigurisht që profesori Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, do t’i paraqesë qëndrimet e tij, ne nuk do të dalim me detaje të caktuara të këtij propozimi në opinion. Mirëpo, gjithsesi, gjatë takimit do të dilet me këto qëndrime dhe do të shihet se cilat parti do të jenë të përafërta me qëndrimet e tilla”, thekson Demolli.

Ndërkaq, as deputeti Selimi, nuk ka dhënë ndonjë detaj se cilat do të jenë qëndrimet e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me arritjen e një konsensusi për reformat zgjedhore:

“Partia Demokratike iu është përgjigjur kërkesave të të tjerëve për reformë zgjedhore dhe sigurisht që mendimet e tyre, opinionet e subjekteve të tjera politike janë duke u diskutuar brenda organeve të partisë. Por, ju them se akoma nuk ka diçka konkretisht, që do të mund ta artikuloja në mënyrë të drejtpërdrejtë për ju”.

Sidoqoftë, mospajtimi i subjekteve politike për çështjet e karakterit politik të reformave zgjedhore, e ka zvarritur procesin dhe Komisioni për Reforma nuk kishte arritur që t’i përmbyllë ato gjatë mandatit 12 muajsh.

Këtij komisioni i është vazhduar mandati për 3 muaj, ndërkohë që problemet, të cilat nuk kishin arritur të zgjidheshin brenda mandatit të parë, vazhdojnë të jenë ende pengesë për reformat zgjedhore.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG