Ndërlidhjet

Edhe tri ditë afat për "UNMIK/Kosovo"


Produkte serbe me përshkrimin "Kosovo/UNMIK"
Produkte serbe me përshkrimin "Kosovo/UNMIK"

Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, deri më tash nuk kanë ndëshkuar asnjë kompani importuese apo pronar dyqanesh për prezencën e produkteve në tregun e brendshëm me mbishkrimin UNMIK/Kosovo.

Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, që nga dita e hënë po kontrollojnë tregun kosovar se a kanë arritur kompanitë importuese të përmirësojnë etiketat dhe deklarimin e mallit nga UNMIK/Kosovo në “ Importues për Kosovë”

Sipas ligjeve në fuqi, etiketa dhe deklarimi i mallit duhet të përmbajë emrin e plotë dhe të saktë të importuesit, si dhe emrin e shtetit të tyre.

Ndërkaq, që nga hyrja në Fuqi e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, emri i plotë dhe i saktë i vendit tonë është Republika e Kosovës.

Ruzhdi Shehu, krye-inspektor i Inspektoratit të Tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se shumica e kompanive importuese kanë përmirësuar etiketat dhe deklarimin e mallit, por megjithatë produkte të tilla ende ekzistojnë në treg.

Kryeinspektori Shehu, tregon se dyqanet e kontrolluara nga inspektorët e tregut, kanë tri ditë afat për t’i vendosur etiketat deklaruese, ndërkaq pas kësaj periudhe, pason ndëshkimi.
Tregtarët nuk guxojnë t’iu ofrojnë konsumatorëve produkte që janë të ndaluara.

“Produktet ushqimore kryesisht me origjinë nga Serbia - kemi pasur edhe produkte me origjinë nga shtetet tjera të Bashkimit Evropian, i kemi ndaluar nga qarkullimi. Tregtarët nuk guxojnë t’iu ofrojnë konsumatorëve produkte që janë të ndaluara. Ky është vendim i nxjerrë nga inspektorët e tregut, për mosrespektim të këtij vendimi do të ndëshkohen të gjitha subjektet që nuk respektojnë atë”, thekson Shehu.

Sipas vendimit të Ministrisë së Tregut gjobat për veprimet e tilla, janë prej 2000 deri në 10.000 mijë euro, shumë kjo e përcaktuar në bazë të Ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve.

Në anën tjetër, përfaqësues të komunitetit të biznesit, shprehen se autoritetet kompetente nuk duhet të tolerojnë më që në vitrinat e dyqaneve të gjenden artikujt me mbishkrimin e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, pohon se edhe kompanitë importuese duhet të jenë të kujdesshme në këtë drejtim:

“Ato biznese që nuk e respektojnë vetë identitetin shtetëror, ato janë të dëmshme edhe për ekonominë, edhe për Kosovën” .

Por, përfaqësues të kompanive importuese, shprehen se janë në përfundim të procesit për vendosjen e etiketave me mbishkrimin Kosovë.

Kushtrim Mujaj, nga kompania ” Elkos” thotë se në rast se autoritetet kompetente vendosin gjoba për mallrat e importuara nga “Elkos-i”, përgjegjësinë e merr kompania në fjalë.

“Shpresojmë se nuk do të ndodhë ajo, por për mallin e ‘Elkos-it’ ne do të mbajmë përgjegjësinë . Edhe pse sipas të gjitha gjasave ne kemi mbuluar një përqindje shumë të madhe të tregut, por mund të ketë ende një numër të vogël të artikujve, të cilët mund të kenë mbishkrimin UNMIK/Kosovo. Ne i kemi angazhuar të gjitha forcat tona në atë drejtim”, sqaron Mujaj.

Sasia më e madhe produkteve që gjenden me mbishkrimin UNMIK/ Kosovo janë nga shteti i Serbisë. Por, që nga 1 maji, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka ndaluar importin e të gjitha produkteve me kët mbishkrim.
XS
SM
MD
LG