Ndërlidhjet

Serbët t’i shmangen idesë së ndarjes


Presidenti kroat Ivo Josipoviq dhe presidentja kosovare Atifete Jahjaga në Zagreb, 06 qershor 2012.

Presidenti kroat Ivo Josipoviq dhe presidentja kosovare Atifete Jahjaga në Zagreb, 06 qershor 2012.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka porositur serbët e veriut që të mos mendojnë për ndarje dhe t’u shmangen ideve të shekullit XIX.

Jahjaga i ka bërë këto komente në Kroaci, ku po qëndron në një vizitë zyrtare.

Duke shpjeguar para gazetarëve në Zagreb, karakteristikat e tri komunave veriore të banuara me shumicë serbe, Jahjaga ka potencuar se është në duar të komunitetit serb që ta zgjedhë të ardhmen.

Por, ka përjashtuar opsionet që dalin jashtë pakos së Ahtisarit, Kushtetutës së Kosovës, dhe ligjeve ndërkombëtare.

Presidenti kroat Ivo Josipoviq dhe presidentja kosovare Atifete Jahjaga në Zagreb, 06 qershor 2012.

Presidenti kroat Ivo Josipoviq dhe presidentja kosovare Atifete Jahjaga në Zagreb, 06 qershor 2012.

“E ardhmja e këtij komuniteti është integrimi i plotë në institucionet e Republikës së Kosovës. Gjithashtu, implementimi i plotë i Pakos së Ahtisarit, pjesëmarrja sa më e parë e tyre në zgjedhjet legale në mënyrë që qytetarët e kësaj pjese të Republikës së Kosovës të zgjedhin në mënyrë legale dhe legjitime përfaqësuesit e tyre legalë dhe legjitimë dhe sa më shpejt që të jetë e mundur shmangia nga strukturat ilegale".

"Kjo, sepse këto paraqesin sfidë për institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare të thirrura për sundimin e rendit dhe të ligjit në Kosovë, dhe (strukturat paralele) paraqesin shkelje të ashpër të Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve dhe normave ndërkombëtare”
, ka thënë presidentja Jahjaga.

Komunat në veri të Kosovës nuk i nënshtrohen autoritetit të Prishtinës. Strukturat paralele vazhdojnë të financohen nga qeveritë në Beograd, pavarësisht ndërrimit të pushteteve të atjeshme.

Tensionet e vazhdueshme në këtë pjesë kanë bërë që të qarkullojnë ide të ndryshme për zgjidhjen e problemeve mes shqiptarëve dhe serbëve të kësaj pjesë.

Ndër to ka qenë edhe ndarja, apo shkëmbimi i territoreve me Serbinë. Por, presidentja Jahjaga ka hedhur poshtë këto opsione dhe i fton serbët që të heqin dorë nga ide të tilla.

“Duhet të shmangen nga idetë e deritanishme. Nuk ka ndarje të Kosovës, nuk ka ndarje të Serbisë, nuk ka shkëmbim territoresh në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë”.

“Popullata duhet që përgjithmonë t’i shmangë idetë e shekullit XIX, sepse e ardhmja e Kosovës, e ardhmja e Serbisë dhe e të gjitha vendeve të rajonit është drejt integrimeve evropiane dhe këtë rrugë e kalojmë më mirë, e më shpejt duke ndihmuar njëra-tjetrën dhe jo duke kundërshtuar e penguar”,
është shprehur Jahjaga.

Presidenti kroat Ivo Josipoviq dhe presidentja kosovare Atifete Jahjaga në Zagreb, 06 qershor 2012.

Presidenti kroat Ivo Josipoviq dhe presidentja kosovare Atifete Jahjaga në Zagreb, 06 qershor 2012.

Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Serbisë vazhdojnë të mbesin të tendosura. Edhe establishmenti i ri politik, i dalë nga zgjedhjet e fundit në Serbi, ka thënë se nuk do ta njohë shtetin e pavarur të Kosovës.

Ndërkohë, bisedimet për çështje praktike të nisura mes dy shteteve në marsin e kaluar në Bruksel, janë pezulluar deri në formimin e qeverisë së re të Serbisë.

I pyetur, nëse do të ngre tensione kroate-serbe, takimi ndërmjet tij dhe homologes kosovare, presidenti kroat Ivo Josipoviq, ka thënë se askush nuk duhet të befasohet nga takime të tilla.

Ai ka thënë se mënyra më e mirë, është që të dy vendet t’i zgjidhnin problemet përmes bisedimeve.

“Kroacia ka kohë që e ka pranuar Kosovën dhe askënd nuk duhet ta habisë fakti se pse kemi raporte mes vete, që takohemi, bisedojmë ashtu sikurse zonja presidente dhe të tjerët takohen me krerë të shteteve evropiane. Prandaj, nuk shoh arsye se përse nuk duhet të ketë takime mes Kosovës e Kroacisë”.

“Aq më tepër që ne nuk jemi marrë me raportet mes Kosovës e Serbisë. Ne kemi biseduar që këto raporte të zgjidhen përmes bisedimeve”,
ka thënë Josipoviq, duke theksuar se në fokus të bisedimeve, kanë qenë raportet kosovaro-kroate dhe politika e paqes dhe bashkëpunimit që ndjekin këto dy shtete.

Të gjitha vendet që kanë dalë nga ish-Jugosllavia, përveç Bosnjës e Serbisë, e kanë njohur Kosovën, ndërsa Kroacia e ka mbështetur pavarësinë edhe para shpalljes së saj.
XS
SM
MD
LG