Ndërlidhjet

Opozita në Maqedoni: Qeverisje e gabuar


Qeveria e Maqedonisë

Qeveria e Maqedonisë

Partitë politike shqiptare në opozitë i kanë bërë thirrje partisë shqiptare në pushtet, BDI, që të braktisë koalicionin qeveritar, meqë siç kanë theksuar gjatë një viti qeverisje është dëshmuar se të gjitha kërkesat që prekin interesat e qytetarëve shqiptarë, shpërfillen nga Qeveria.

RDK-ja ka vlerësuar se si pasojë e politikës nacionaliste maqedonase të kësaj Qeverie, Maqedonia është bërë zonë, e cila në vazhdimësi gjeneron krizë.

“Po qe se i referohemi një të dhëne gjatë 33 mbledhjeve të Parlamentit me ç’rast janë miratuar rreth 1800 ligje, është e pranueshme që në këto 1 mijë e 800 ligje të mos kemi asnjë ligj të mirëfilltë, i cili drejtpërdrejt do të avanconte pozitën e shqiptarëve të Maqedonisë”.

“Edhe në aspektin ekonomik , nuk janë evidentuar rezultate. Vazhdon diskriminimi ekonomik, vazhdon mosrealizimi i projekteve infrastrukturore, të cilat figurojnë në letër dhe si pasojë e mungesës së mjeteve, assesi nuk gjejnë zbatim”,
është shprehur deputeti i RDK-së, Izet Zeqiri.

Por, me këto konstatime nuk pajtohet BDI-ja. Lideri i partisë, Ali Ahmeti, gjatë ceremonisë së shënimit të 10-vjetorit të partisë, ka theksuar se realiteti i shqiptarëve ka ndryshuar dukshëm për të mirë.

“Angazhimi ynë arriti të ndryshojë Kushtetutën dhe preambulën, duke ndryshuar në këtë mënyrë edhe konceptin e shtet-formimit dhe karakterin politik të Maqedonisë. Gjurmë të këtij rrugëtimi janë edhe flamuri, gjuha shqipe, zyrtarizimi i Universitetit Shtetëror të Tetovës, amnistia për UÇK-në, shtatoret në sheshin e Shkupit, etj.”, ka thënë Ahmeti, duke theksuar se megjithatë barrierë për vendin, mbetet kontesti i pazgjidhur i emrit me Greqinë .

Ahmeti ka thënë se kjo çështje kërkon zgjidhje urgjente, duke nënvizuar se fillimi i gjetjes së zgjidhjes është një mundësi për të marrë ftesën e kushtëzuar për anëtarësim në NATO, për ç’gjë duhet pritur formimi i një qeverie stabile në Greqi dhe të vazhdojnë përpjekjet për zgjidhjen e kontestit të emrit.

Në këtë drejtim, partia maqedonase në opozitë ka theksuar se qeverisja aktuale me vendimet dhe promovimet e fundit të masave të reja qeveritare po përgatitet për zgjedhje të reja të parakohshme, edhe pse vetëm një vit ka kaluar nga zgjedhjet.

Këto konstatime, sekretari i LSDM-së, Andrej Petrov, i argumenton me neglizhencën për të zhbllokuar procesin e integrimeve euro-atlantike.

“Maqedonia po lëviz prapa në të gjitha fushat dhe po ecën në drejtim të gabuar. Kjo është si rezultat i politikave të gabuara të Qeverisë”, ka theksuar sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Andrej Petrov, duke nënvizuar një varg problemesh në aspektin ekonomik dhe atë politik që Maqedoninë e çojnë kah një rrugë pakrye e bllokuar për kaq kohë, sa i përket integrimeve.

Ndaj vërejtjeve të LSDM-së, partia e kryeministrit Nikolla Gruevskit, është kundërpërgjigjur se Qeveria tashmë ka realizuar mbi 2 mijë projekte në të gjitha fushat; shëndetësi, arsim, bujqësi, në fushën e infrastrukturës, pushtetit lokal, në sport, si asnjëherë më parë.

“Nuk duhet harruar se tani është dhe përvjetori i dështimit të Branko Cërvenkovski, partia e të cilit, LSDM-së, nuk kishte as projekte, as masa, e as programe. Njerëzit nuk e dinin kuptimin e këtyre fjalëve. Dinamika e realizimit të projekteve në vitet e kaluara është ruajtur, dhe bëhen përpjekje maksimale që ai ritëm të rritet”, është shprehur deputeti i VMRO DOMNE-së, Aleksandar Nikollovski.
XS
SM
MD
LG