Ndërlidhjet

logo-print

Vendimi i Ministrisë së Brendshme të Qeverisë së Kosovës, që me datën 1 qershor në territorin e Kosovës, të mos lejohet qarkullimi i automjeteve me targa, të cilat i jep shteti serb me inicialet e qyteteve të Kosovës, në veri të vendit është e dukshme që nuk respektohet fare.

Këtë e pohojnë edhe qytetarët serbë në këtë pjesë të vendit, të cilët qarkullojnë me automjete që ende i mbajnë targat e lëshuara nga shteti serb.

Por, ka edhe qytetarë serbë, të cilët janë pajisur me targat e lëshuara nga institucionet e Kosovës.

Njëri prej tyre është edhe Mirko Petroviq, i cili punon si taksist në relacionin Graçanicë – Mitrovicë.

Petroviq thotë se gjatë qarkullimit me targa të Kosovës në pjesën qendrore të vendit, nuk ka pasur asnjëherë problem nga askush, e as nga Policia e Kosovës.

Unë i kam targat KS dhe nuk kam probleme. Por ata që ende i mbajnë targat me inicialet PR, dhe të qyteteve tjera në brendi të vendit, ata nuk guxojnë të qarkullojnë me ato targa”, shprehet Petroviq.

Por, problemet, sipas tij, fillojnë që në urën lindore, e cila e lidhë jugun e qytetit të Mitrovicës me pjesën veriore.

Për të arritur deri në Lagjen e Boshnjakëve - ku edhe e ka stacionin e fundit- pa ndonjë situatë të pakëndshme ose të rrezikshme, Petroviq thotë se i duhet t’i heqë targat me regjistrimin KS dhe t’i ndërrojë ato me targa të Serbisë.

Ne merremi me bartjen e njerëzve dhe qarkullojmë me furgon nga Graçanica në Mitrovicë. Për çdo ditë na duhet që t’i ndërrojmë targat, të heqim një palë dhe ti vendosim tjerat. Ne jemi të detyruar që t’i regjistrojmë veturat me dy palë targa. Do të thotë paguajmë dyfish që të mbijetojmë”, thekson Petroviq.

Në anë tjetër, qytetarët serbë në veri të Kosovës, refuzojnë të pajisen me tabelat e lëshuara nga institucionet e Kosovës, ndërkohë që ata i shfaqin mendimet e tyre lidhur me vendimin e Ministrisë së Brendshme të Republikës së Kosovës, por edhe arsyet pse refuzojnë të pajisen me targat e shtetit të Kosovës.

Zhelko Millivojeviq thotë se punon si taksist, dhe thotë se tashmë është pajisur me targat e reja, të cilat i lëshon Ministria e Brendshme e Republikës së Serbisë, ndërkaq, vendimin e institucioneve kosovare ai e quan si përpjekje për masa reciprociteti ndaj Serbisë.

Ligjet e Republikës së Kosovës këtu nuk vlejnë dhe unë nuk e kuptoj se po ngritin shumë pluhur. Unë mendoj se ata tash po kërkojnë një zgjidhje kompromisi, për shkak se bisedimet janë në vazhdim e sipër, të gjejnë një mënyrë që edhe ata të munden që me targat e shtetit të tyre të Kosovës, me targat KS ose RKS, të udhëtojnë në Serbi. Do të thotë që të mos jenë të detyruar që t’i heqin ato targa në vendkalimin kufitar dhe t’i marrin targat provuese”, shprehet Millivojeviq.

Mendim të ngjashëm ka edhe Vlladimir Spasiq, nga veriu i Mitrovicës, i cili thotë se automobili i tij është i pajisur me targa të Serbisë, dhe sipas tij, vështirë se mund të realizohet vendimi i Ministrisë së Brendshme të Republikës së Kosovës lidhur me ndalimin e këtyre taragave në territorin e veriut të vendit.

Të paktën, këtu në veri, vështirë se mund të jetësohet ky vendim. Ne këtu jemi në Serbi dhe nuk jemi te Bajram Rexhepi. Qëllimi i këtij të fundit është që të vendos ndonjë reciprocitet, në mënyrë që të fitojnë mundësinë që me tabelat KS dhe RKS të kalojnë nëpër Serbi”, shprehet Vlladimir Spasiq.

Ndërkaq, Lubisha Spasiq, po ashtu nga veriu i Mitrovicës thotë se ende qarkullon me veturën që mban targat serbe me inicialet KM.

Ai thekson se ekzistojnë një varg çështjesh, për shkak të të cilave ai nuk dëshiron të pajiset me targa të lëshuara nga institucionet e Kosovës.

Ndonëse nuk e kam ndërmend që të pajisem me targa të Kosovës, por, edhe sikur të doja ta bëja diçka të tillë, në atë mënyrë ata po na shtynë që ta ndryshojmë shtetësinë. Për të marrë letërnjoftimin e tyre, fillimisht do të duhej ta marr shtetësinë e tyre (shtetësinë e Kosovës), pastaj letërnjoftimin e tyre, e pastaj targat e tyre. Në këtë mënyrë unë e humbi shtetësinë time, me të cilën jam lindur”, shprehet Lubisha Spasiq.

Sidoqoftë, institucionet e Kosovës, tashmë kanë theksuar se janë të vetëdijshme që situata në veriun e Kosovës është më specifike dhe siç kanë theksuar ata, në vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjakë, Policia e Kosovës po i udhëzon vozitësit e automjeteve që të pajisen me targat e Republikës së Kosovës.

Por, sipas tyre, krejt në fund, nëse situata nuk ndryshon, atëherë Policia e Kosovës do ta zbatojë urdhrin për konfiskimin e targave jolegale dhe do të procedojë sipas ligjit
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG