Ndërlidhjet

Pas takimit me Nikolliqin, serbët "duarthatë"

  • RFE /RL

Tomislav Nikolliq

Tomislav Nikolliq


Presidenti serb, Tomisllav Nikolliq, ka thënë se qeveria dhe institucionet e Serbisë duhet të bëjnë gjithçka për t’iu ofruar sigurinë dhe të drejtat “qytetarëve të Serbisë në Kosovë”.

Ai ka takuar të enjten kryetarët ilegalë të veriut të Kosovës, por nuk u ka ofruar qasje në dokumentet e dialogut Prishtinë-Beograd, siç është zotuar më herët.

Sipas kumtesës zyrtare nga kabineti i Nikolliqit, “presidenti serb ka ftuar përfaqësuesit e serbëve nga veriu i Kosovës që të mos bien pre e provokimeve dhe të përmbahen nga aksionet e dhunshme ndaj pjesëtarëve të misioneve ndërkombëtare civile e ushtarake”.

Po sipas kësaj komunikate, Nikolliq ka theksuar se gjatë zgjidhjes së problemit të Kosovës, duhet të arrihet konsensusi i të gjithë faktorëve relevantë politikë në Serbi dhe se të gjitha problemet duhet të zgjidhen ekskluzivisht me mjete paqësore dhe demokratike.

Presidenti serb ka takuar të enjten kryetarët ilegalë të Mitrovicës, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Para takimit, ai kishte thënë se do t’iu dorëzojë serbëve të Kosovës një pjesë të dokumenteve të dialogut Prishtinë-Beogradit, në të cilat ka siguruar qasjen pas marrjes së detyrës si president.

Serbët nga Kosova duhet të jenë të njoftuar për të gjitha marrëveshjet dhe vendimet që i ka ndërmarrë Serbia, e të cilat i prekin direkt jetët e tyre”, ka thënë Nikolliq para takimit me katër kryetarët ilegalë serbë të komunave të veriut dhe kreun e të ashtuquajturit qark i Mitrovicës.

Ata do t’i marrin sot dokumentet nga unë. Kjo nuk është fshehtësi e imja. Jeta ime nuk varet nga ajo se çka ndodh në Kosovë, automjeti im ka targa, që askush nuk mund t’ia heqë, letërnjoftimi im vlen në tërë territorin e shtetit, kudo që shkoj. Ata janë të rrezikuar dhe fëmijët e tyre duhet të jetojnë në rrethana të tjera”, ka thënë Nikolliq.

Ai ka thënë se pikërisht për këtë, do të angazhohet që në bisedimet e ardhshme t’i përfshijë edhe serbët e Kosovës.

Sipas Nikolliqit, dokumenet që kishte thënë se do t’ua dorëzojë bashkëbiseduesve, asnjëherë nuk kanë qenë në parlament, dhe kurrë, edhe pse nuk janë konfidenciale, nuk janë bërë publike.

Kërkesa për takim ishte bërë nga përfaqësuesit e komunave në veri, Kërstimir Pantiq, Dragisha Miloviq, Slavisha Ristiq dhe Branko Niniq, si dhe nga kreu i ashtuquajturit rrethi i Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq.

Pantiq pati thënë më herët për agjencitë serbe të lajmeve se ai dhe kolegët e tij do të shkojnë te Nikolliqi për të dëgjuar përgjigjet në pyetjet se çka është marrë vesh me Prishtinën shefi i delegacionit serb në bisedimet ne Bruksel, Borko Stefanoviq.

Duam ta dimë se cilat janë obligimet tona, të neve që udhëheqim qeveritë lokale. Nuk është mirë që qytetarët të dalin në rrugë, që t’iu cenohet siguria, nëse tashmë është arritur ndonjë marrëveshje dhe është nënshkruar në Bruksel, e e cila, duhet të zbatohet”, pati thënë Pantiq. (a.i. & v.t.))

Trego komentet

XS
SM
MD
LG