Ndërlidhjet

Siri: Masakër në Hama - mbi 80 të vrarë


Hama, Siri - foto nga arkivi
Hama, Siri - foto nga arkivi

Aktivistët e opozitës siriane bëjnë të ditur për më shumë se 80 njerëz të vrarë nga forcat qeveritare, në provincën Hama.

Sipas tyre, në mesin e të vrarëve në fshatrat al-Kubair dhe Marzaf ndodhen edhe 20 fëmijë dhe 20 gra.

Derisa opozita i cilëson vrasjet si “masakër”, Qeveria siriane thotë se akuzat për përgjegjësi janë “krejtësisht të rreme”.

Sipas aktivistëve, al-Kubairi është bombarduar nga forcat e sigurisë, por shumica e vrasjeve janë kryer nga milicët pro-qeveritarë.

Raportet e disa mediave thonë se shumë njerëz janë vrarë ose therur nga një distancë shumë e vogël.

Në një deklaratë për televizionin zyrtar, qeveria ka thënë se “një grup terrorist ka kryer një krim të tmerrshëm në rajonin e Hamas, ku dyshohet për nëntë viktima”.

Ngjarja ndodh më pak se dy javë pas masakrës në Houla të Homsit, ku forcat e regjimit kanë vrarë 108 persona – shumica nga ta gra dhe fëmijë.

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se të paktën 9,000 njerëz kanë humbur jetën që nga shpërthimi i protestave kundër regjimit autoritar, 15 muaj më parë.

Në ndërkohë, Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje qeverive të botës që të ushtrojnë “presionin maksimal financiar” mbi qeverinë e presidentit Bashar al-Asad, për ta detyruar atë të heqë dorë nga pushteti.

Në një takim të Miqve të Sirisë në Uashington, sekretari i Thesarit, Timoti Gajtner, tha se SHBA-ja mbështet thirrjen e Ligës Arabe për të marrë në konsideratë Kapitullin VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara, i cili autorizon shtetet anëtare të ndërmarrin “të gjitha masat e nevojshme” për zbatimin e vendimeve të Këshillit të Sigurimit.

Ne, Shtetet e Bashkuara, shpresojmë se të gjitha kombet përgjegjëse do të bashkohen në ndërmarrjen e veprimeve të duhura ekonomike kundër regjimit sirian”, ka thënë Gajtner.

Në një takim në Stamboll, sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, u ka thënë vendeve perëndimore dhe arabe se strategjia e tranzicionit në Siri duhet të përfshijë dorëzimin e plotë të pushtetit nga ana e Asadit.

Dhuna e sponsorizuar nga regjimi, që e kemi parë sërish në Hama, është thjesht e pafalshme. Asadi ka dyfishuar brutalitetin dhe mashtrimet e tij dhe Siria nuk do të jetë dhe nuk mund të jetë e qetë, e qëndrueshme ose demokratike derisa të mos shkojë Asadi”, ka thënë Klinton.

Por, Kina dhe Rusia kanë ritheksuar kundërshtimin e tyre të fuqishëm kundrejt çdo ndërhyrjeje në punët e brendshme të Sirisë.

Pozicioni i Kinës dhe Rusisë në këtë rast është i qartë. Ne jemi vendosmërisht kundër përdorimit të mjeteve për të ndërhyrë në çështjen e Sirisë. Ne ende mendojmë se çështja duhet të zgjidhet nga vetë populli sirian”, ka thënë zëvendësministri i Jashtëm kinez, Çeng Guping, në një konferencë për gazetarë në Pekin.

Protestat antiqeveritare në Siri zhvillohen në vazhdën e kryengritjeve popullore në botën arabe, të cilat kanë çuar në rrëzimin e sunduesve veteranë në Tunizi, Egjipt, Libi dhe Jemen.(v.t.)
XS
SM
MD
LG