Ndërlidhjet

Ish të burgosurit shqiptarë protestojnë


Ilustrim
Ilustrim
Shoqata e ish të përndjekurve dhe të dënuarve politikë shqiptarë ka protestuar para Qeverisë së Maqedonisë, në shenjë pakënaqësie ndaj moszgjidhjes së statusit të tyre.

Kreu i shoqatës, Shpëtim Pollozhani, thotë se që nga viti 2005 shoqata ka depozituar një propozim-ligj në Kuvendin e Maqedonisë për zhdëmtimin dhe shpalljen të pavlefshme të të gjitha vendimeve gjyqësore të miratuara gjatë sistemit komunist, por, deri më sot, sipas tij, as që është shqyrtuar një kërkesë e tillë.

Informojmë opinionin më të gjërë këtu, edhe shqiptar por edhe atë maqedonas, me ekzistimin e këtij problemi si rezultat i mos angazhimit të pushtetarëve tanë për definimin e statusit, edhe pse qysh në vitin 2005 ne kemi hartuar një propozim-ligj për zhdëmtimin e ish të burgosurve politikë”, deklaroi Pollozhani.

Ai, sërish propozim ligjin e hartuar para 7 vjetëve ia dorëzoi qeverisë, me të cilët beson se do të zgjidheshin problemet ekzistenciale dhe të kthimin e dinjitetit kategorie të viktimizuar nga ish-regjimi.

Ne dëshirojmë që njëherë të sillet një ligj për zhvleftësimin e atyre aktgjykimeve që më pas të fillojë edhe procesi i zhdëmtimit. Ne kemi shumë persona të cilët edhe sot e kësaj dite vuajnë pasojat e atij sistemi, për arsyje se nuk i kanë 15 vjetët e punës për të marrë pensionin e pleqërisë”, thotë Pollozhani.

Protesta e tyre është mbështetur nga shoqatat të shumta joqeveritare që tubojnë shqiptarët si dhe nga partitë politike të opozitës.

Maqedonia ka qenë një terren, ku janë përdorur mënyrat më barbare të përsekutimit të shqiptarëve. Në bazë të shumë dokumenteve dhe dosjeve të ndryshme nga funksionarë të lartë, janë udhëhequr edhe askione ku janë bërë edhe eksperimente në jetën e qytetarit shqiptar. Prandaj, kërkojmë që këta persona apo familjarët e tyre të rehabilitohen si dhe të dëmshpërblehen për të gjitha vuajtjet”, deklaroi Flamure Kreci, deputete e Rilindjes Demokratike Kombëtare.

Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim, që është pjesë e qeverisë, ka kundërshtuar protestën si formë për zgjidhjen e problemit, duke thënë se kërkesa e ish të burgosurve shqiptarë është në procedurë të diskutimit dhe se për këtë është njoftuar edhe shoqata.

Rikonfirmojmë edhe njëherë se fatmirësisht arritëm të sigurojmë pajtueshmëri si të opinionit ashtu edhe të partnerëve tanë bashkëqeverisës për fillimin e procedurave parlamentare për një debat të frytëshmë dhe miratimin e një ligji të pranueshëm nga të gjithë”, deklaroi Talat Xhaferi, kryetar i grupit parlamentar të BDI-së.

Nga shoqata e ish të burgosurve, thonë se kërkesa e tyre për zhdëmtin bazohet edhe në dy rezolutat e Këshillit të Evropës për dënimin dhe kërkimin e faljes të viktimave së komunizmit si dhe në ndryshimet kushtetuese në Maqedoni, ku po ashtu dënohen të gjitha burgosjet dhe veprimet tjera të ndërmarra për motive politike.
XS
SM
MD
LG