Ndërlidhjet

logo-print

Nikolliq ua dorëzon serbëve dokumentet e dialogut


Tomisllav Nikoliq, president i Serbisë

Tomisllav Nikoliq, president i Serbisë

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq në takimin e filluar, do t’ua dorëzojë serbëve të Kosovës një pjesë të dokumenteve të negociatave mes Prishtinës e Beogradit, në të cilat ka siguruar qasjen pas marrjes së detyrës si president.

“Serbët nga Kosova duhet të jenë të njoftuar për të gjitha marrëveshjet dhe vendimet që i ka ndërmarrë Serbia, e të cilat i prekin direkt jetët e tyre”, ka thënë Nikolliq para takimit me katër kryetarët ilegalë serbë të komunave të veriut dhe kreun e të ashtuquajturit qark i Mitrovicës.

“Ata do t’i marrin sot dokumentet nga unë. Kjo nuk është fshehtësi e imja. Jeta ime nuk varet nga ajo se çka ndodh në Kosovë, automjeti im ka targa, që askush nuk mund t’ia heqë, letërnjoftimi im vlen në tërë territorin e shtetit, kudo që shkoj. Ata janë të rrezikuar dhe fëmijët e tyre duhet të jetojnë në rrethana të tjera”, ka thënë Nikolliq.

Ai ka thënë se pikërisht për këtë, do të angazhohet që në bisedimet e ardhshme t’i përfshijë edhe serbët e Kosovës.

Sipas, Nikolliqit, dokumenet që do t’ua dorëzojë bashkëbiseduesve, asnjëherë nuk kanë qenë në parlament, dhe kurrë, edhe pse nuk janë konfidenciale, nuk janë bërë publike.

Nikolliq takon sot në Beograd kryetarët ilegalë të komunave veriore të Mitrovicës, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit.

Kërkesa për takim është bërë nga përfaqësuesit e komunave në veri, Kërstimir Pantiq, Dragisha Miloviq, Slavisha Ristiq dhe Branko Niniq, si dhe nga kreu i ashtuquajturit rrethi i Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq.

Pantiq ka thënë më herët për agjencitë serbe të lajmeve se ai dhe kolegët e tij do të shkojnë te Nikolliqi për të dëgjuar përgjigjet në pyetjet se çka është marrë vesh me Prishtinën shefi i delegacionit serb në bisedimet ne Bruksel, Borko Stefanoviq.

“Duam ta dimë se cilat janë obligimet tona, të neve që udhëheqim qeveritë lokale. Nuk është mirë që qytetarët të dalin në rrugë, që t’iu cenohet siguria, nëse tashmë është arritur ndonjë marrëveshje dhe është nënshkruar në Bruksel, e e cila, duhet të zbatohet”, ka thënë Pantiq.
XS
SM
MD
LG