Ndërlidhjet

Kosova nuk ka ligj për transplantim organesh


Transplantim organesh (Foto nga arkivi)
Transplantim organesh (Foto nga arkivi)

Transplantimet e organeve nuk mund të bëhen në Kosovë për shkak të mungesës së ligjit. Andaj, pacientët që kanë nevojë për transplantime, duhet të udhëtojnë jashtë vendit.

Një nga to është edhe Besa, e cila e ka transplantuar veshkën në Londër të Anglisë. Motra e saj, Rita, jep më shumë hollësi:

“Operacioni për transplantimin e veshkës, është bërë në Londër në korrik të vitit 2009. Për shkak të pamundësisë që të bëhet në Kosovë, ka shkuar në Londër. Tash është shumë mirë, qe tri vjet, prej kur është operuar dhe jeton normalisht. Veshkën e ka marrë nga një vajzë që ka pësuar aksident. Prindërit e saj kanë nënshkruar për dhurimin e veshkës. Ajo vajza ka qenë nga Irani”.

Ndërkaq, profesionistët shëndetësorë thonë se qytetarët e Kosovës harxhojnë shuma të mëdha parash për t’i kryer këto shërbime jashtë vendit.

Por, ministri i shëndetësisë, Ferid Agani, deklaron për Radion Evropa e Lirë se koncept-dokumenti për Ligjin për transplantim organesh, është miratuar në Qeverinë e Kosovës, dhe se, sipas tij, pritet që së shpejti ky shërbim të hyjë në funksion.

“Grupi i punës e ka elaboruar këtë temë. Prapë do të kemi një proces të konsultimeve me organizatat relevante si OSBE- ja, EULEX-i, e që janë me rëndësi për këtë temë. Kjo temë është e politizuar skajshmërisht dhe ne jemi të interesuar të kemi një ligj bashkëkohor, të zbatueshëm në plotësi, në mënyrë që këto shërbime të fillojnë të aplikohen”, deklaron Agani.

Kirurgu Sali Krasniqi, kirurg në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pohon se kjo do të ishte shumë e mirëseardhur për popullatën e Kosovës.

Sipas tij, Kosova ka kapacitete humane që të merren me transplantim organesh, derisa kushtet për t’u kryer këto shërbime mungojnë.

Krasniqi shton se edhe po qe se miratohet ligji, kërkohen implikime të mëdha buxhetore.
Ligji që duhet të implementohet, kërkon edhe implikime buxhetore për shkak se tash për tash është e pamundur të kryhen këto punë.

“Ligji që duhet të implementohet, kërkon edhe implikime buxhetore për shkak se tash për tash është e pamundur të kryhen këto punë. Kërkesa ka, sidomos për transplantim të veshkave. Çmimet që harxhojnë qytetarët janë të mëdha, por kjo varet edhe nga shteti ku e kryejnë transplantimin”, thotë Krasniqi.

Por, jo edhe ministri Agani shpreson se me hyrjen në fuqi të këtij ligji, do të mund të punohet me kapacitete të plota.

“Me siguri në fillim jo me kapacitetet tona, sepse ne nuk kemi as teknologji, e as resurse njerëzore, por në bashkëpunim me partneritetin publiko-privat”, thekson Agani.

Kurse, kërkesat për transplantim organesh nga pacientët që kërkojnë ndihmë në Ministrinë e Shëndetësisë, janë mjaft të mëdha.

Ministri Ferid Agani thotë se vazhdimisht po kërkon që të rritet buxheti për programin e trajtimit të pacientëve jashtë vendit, meqë dy milionë eurot e ndara për këtë çështje, janë të pa mjaftueshme, karshi kërkesave të pacientëve.

“Kemi kërkesa në vazhdimësi për transplante, sidomos të veshkës, nga pacientët në Ministrinë e Shëndetësisë, për shërim jashtë vendit. Maksimalisht po mundohemi t’i mbulojmë këto kërkesa, kryesisht i dërgojmë rastet më të komplikuara, sidomos në Turqi që kemi marrëveshje për 100 pacientë të shërohen jashtë vendit”.

“Kemi kërkuar edhe 2 milionë euro të tjera për shërim jashtë vendit, por pres mirëkuptim dhe do të insistoj që gjatë vitit 2012 të rritet shuma e fondit për shërim jashtë vendit”,
sqaron Agani.

Kirurgu Sali Krasniqi, ndërkaq thotë se nëse do të kryheshin transplantimet në Kosovë, pacientët nuk do të shpenzonin shuma të mëdha parash.

“Nëse ky shërbim do të kryhej në Kosovë, do t’u kushtonte shumë më lirë, e nëse ndonjë anëtar i familjes e dhuron, atëherë pacienti nuk do të duhej të paguante asgjë”, shprehet Krasniqi.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Klinikën Gjinekologjike, në vitin 2006 është bërë një transplantim, por, sipas profesionistëve shëndetësorë përgatitjet para transplantimit janë bërë në Gjermani, në mungesë të kushteve.
XS
SM
MD
LG