Ndërlidhjet

Veriu (s’)është në duart e Beogradit


Mitrovicë (Foto nga arkivi)
Mitrovicë (Foto nga arkivi)
Beogradi nuk mund t’ia përcaktojë Kosovës agjendën politike për të ardhmen e veriut të vendit, thonë deputetë të Parlamentit të Kosovës. Sipas tyre, aranzhimet e veçanta që presidenti i ri serb, Tomisllav Nikolliq, i ka iniciuar për veriun e Kosovës, nuk duhet të ndikojnë në pozicionin e Qeverisë për trajtimin e kësaj çështjeje si punë të brendshme të Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, thotë se nuk është në interesin e Kosovës që të devijojë nga vendimet e Kuvendit, sipas të cilave, tërësia territoriale është e paprekshme dhe e pacenueshme.
Rezoluta e Kuvendit të Kosovës obligon Qeverinë dhe të gjithë të tjerët që të respektojnë tërësinë territoriale të Kosovës.

“Rezoluta e Kuvendit të Kosovës obligon Qeverinë dhe të gjithë të tjerët që të respektojnë tërësinë territoriale të Kosovës. Veriu është pjesë e Kosovës. Qytetarët në Mitrovicë dhe në tërë territorin e Kosovës, kudo që jetojnë, janë qytetarë të Kosovës dhe me ta ne e kemi obligim dhe përgjegjësi që të bisedojmë”, thotë Grabovci.

Në kohën kur Qeveria e Kosovës po përpiqet të hapë një zyrë administrative në veri të Mitrovicës, si bërthamë të komunës së re atje, përfaqësuesit lokalë të serbëve, jo vetëm që e kundërshtojnë shtrirjen e autoritetit të Kosovës në veri, por edhe paralajmërojnë koordinime shtesë me Beogradin zyrtar për të mos lejuar funksionimin e shtetit të Kosovës në atë pjesë.

Ata janë deklaruar se presin nga presidenti i ri serb, Nikolliq, që t’i adresojë më qartë kërkesat e tyre për moslejimin e shtrirjes së autoritetit të Kosovës në atë pjesë.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, kryetar i Komisionit Parlamentar për Siguri, thotë se Beogradi vetëm po dëshmon edhe një herë se nuk mund të reformohet dhe se politika serbe karshi Kosovës do të jetë në vazhdimësi në funksion të destabilizimit të saj.

“Beogradi ka dhënë edhe një argument më shumë se nuk reformohet në politikën e vet dhe se për çështjen e Kosovës gjithmonë do të ketë tendencë për ta destabilizuar këtë vend. Me zgjedhjen e Nikolliqit dhe me rritjen e votës për Daçiçin, ka treguar se atje ende mbizotëron mentaliteti i Millosheviqit”, shprehet Isufi.

Për më gjatë se një vit, Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kanë zhvilluar dhe një seri takimesh, të cilat kanë rezultuar me pesë marrëveshje të prezantuara në formë konkluzionesh. Tani pas zgjedhjeve në Serbi, pritjet janë që ky dialog të vazhdojë.

Por, mbetet e paqartë nëse faktori ndërkombëtar do të insiston që në bisedime të përfshihet edhe çështja e veriut, si pjesë që ishte dhe mbetet nën tensione të vazhdueshme.

Deputeti Adem Grabovci thotë se zgjidhja për veriun gjendet në Planin e presidentit Ahtisari, duke përjashtuar ndonjë formë tjetër.

“Asnjë zgjidhje tjetër, përveç Pakos së Ahtisarit, është e papranueshme për Grupin Parlamentar të PDK-së dhe karshi këtyre vendimeve dhe këtyre qëndrimeve, PDK-ja është e gatshme të japë kontributin e vet”, thekson Grabovci.

Me politikën e Beogradit duhet të merret Bashkimi Evropian dhe instancat tjera sa i përket politikës integruese, ndërsa Kosova i ka përfunduar çështjet e statusit...

Në anën tjetër, deputeti Ahmet Isufi thotë se Kosova i ka bërë mjaftë favore Serbisë në kuadër të dialogut teknik dhe se rruga e këtij vendi drejt BE-së, vijon ai, nuk mund të shihet më se kalon përmes procesit negociues me Kosovën.

“Me politikën e Beogradit duhet të merret Bashkimi Evropian dhe instancat tjera sa i përket politikës integruese, ndërsa Kosova i ka përfunduar çështjet e statusit, territorit dhe duhet të bisedojë dhe punojë me qytetarët e saj”, potencon Isufi.

Sidoqoftë, pjesa veriore e Kosovës, për më gjatë se një dekadë, ishte dhe mbetet jashtë kontrollit të autoriteteve shtetërore të Kosovës.

Një gjendje e tillë faktike në terren është parë nga analistë të ndryshëm si rast shtesë për presidentin serb, Nikolliq, i njohur për qëndrime nacionaliste në raport me shqiptarët dhe Kosovën, për të sprovuar edhe njëherë vendosmërinë e diplomacisë ndërkombëtare në lidhje me cenimin eventual të tërësisë territoriale të Kosovës.
XS
SM
MD
LG