Ndërlidhjet

logo-print

“Miqtë e Sirisë” takohen më 6 korrik


Siri

Siri

Konferenca e grupit “Miqtë e Sirisë” do të mbahet më 6 korrik në Paris, ka bërë të ditur Ministria e Jashtme franceze.

Sipas zëdhënësit të saj, Bernar Valero, takimi ndodh pas “përkeqësimit shqetësues të situatës në Siri”.

Njoftimi vjen një ditë pasi Rusia ka kërkuar organizimin e një konference ndërkombëtare për Sirinë, në kuadër të një grupi të ri të kontaktit, i cili do të kishte më pak pjesëmarrës se “Miqtë e Sirisë”.

Moska ka propozuar që pjesë e grupit të ri të jenë edhe pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ashtu si edhe Irani dhe Arabia Saudite. Propozimi rus nuk përfshin opozitën siriane.

I pyetur për pozicionin e Francës në lidhje me propozimin e Rusisë, Valero nuk është përgjigjur.

“Është urgjentisht e nevojshme që i gjithë komuniteti ndërkombëtar të shprehë mbështetje të fuqishme për zbatimin e planit gjashtëpikësh të të dërguarit të Kombeve të Bashkuara dhe të Ligës Arabe për Sirinë, Kofi Anan”, ka thënë Valero.

Siria është përfshirë nga protestat antiqeveritare dhe dhuna qysh në mars të vitit të kaluar. Sipas shifrave të OKB-së, të paktën 9,000 njerëz kanë humbur jetën në trazira.
XS
SM
MD
LG