Ndërlidhjet

Nikolliqi nuk u jep dokumente të dialogut serbëve të veriut


Beograd, 7 qershor 2012.
Beograd, 7 qershor 2012.
Presidenti serb, Tomisllav Nikolliq, ka thënë se qeveria dhe institucionet e Serbisë duhet të bëjnë gjithçka për t’iu ofruar sigurinë dhe të drejtat “qytetarëve të Serbisë në Kosovë”.

Ai ka takuar sot kryetarët ilegalë të veriut të Kosovës, por nuk u ka ofruar qasje në dokumentet e dialogut Prishtinë-Beograd, siç është zotuar më herët.

Sipas kumtesës zyrtare nga kabineti i Nikolliqit, “presidenti serb ka ftuar përfaqësuesit e serbëve nga veriu i Kosovës që të mos bien pre e provokimeve dhe të përmbahen nga aksionet e dhunshme ndaj pjesëtarëve të misioneve ndërkombëtare civile e ushtarake”.

Po sipas kësaj komunikate, Nikolliq ka theksuar se gjatë zgjidhjes së problemit të Kosovës, duhet të arrihet konsensusi i të gjithë faktorëve relevantë politikë në Serbi dhe se të gjitha problemet duhet të zgjidhen ekskluzivisht me mjete paqësore dhe demokratike.

Presidenti serb ka takuar sot kryetarët ilegalë të Mitrovicës, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Para takimit, ai ka thënë se do t’iu dorëzojë serbëve të Kosovës një pjesë të dokumenteve të dialogut Prishtinë-Beogradit, në të cilat ka siguruar qasjen pas marrjes së detyrës si president.

Prishtina dhe Beogradi kanë nisur negociatat për çështje teknike në mars të vitit të kaluar. Në nëntë raunde diskutimesh janë arritur shtatë marrëveshje, por zbatimi i tyre ka ngecur.
XS
SM
MD
LG