Ndërlidhjet

Krasniqi: Bisedimet politike me Beogradin janë mbyllur


Jakup Krasniqi
Jakup Krasniqi

Konsideroj që, tash për tash, bisedimet politike me Beogradin jam i bindur që janë mbyllur. Statusi politik i Kosovës është zgjidhur, Kosova është e njohur ndërkombëtarisht. Gjykata Ndërkombëtare e ka dhënë vlerësimin pozitiv për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe Kosova dhe nuk është problem në këtë rrafsh, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, pas një viti të bisedimeve Prishtinë - Beograd, vazhdimi i procesit tani mbetet i ndërlidhur me formimin e qeverisë së re serbe. Mendoni se duhet të vazhdojë ky dialog në formatin e deritashëm?

JAKUP KRASNIQI
Çështja e dialogut në raport me Beogradin që është zhvilluar gati për një vit në Bruksel, ka prodhuar disa marrëveshje - disa konkluzione që kanë dalë nga ato bisedime.

Realisht, mund të themi se nuk ka një zbatim të atyre marrëveshjeve dhe pengesa kryesore për realizimin e këtyre marrëveshjeve vazhdon të jetë Serbia.

Kështu që, për palën kosovare dialogu kurrë nuk ka qenë i vënë në pikëpyetje, sepse jemi të bindur se me të gjitha vendet që na rrethojnë, ne duhet të bisedojmë.

Pra, duhet të bisedojmë edhe me Beogradin, siç kemi qenë të obliguar nga rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuar për të biseduar për çështje teknike, që kanë të bëjnë me përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve të dy vendeve tona.

Por, këto bisedime që janë mbajtur për një vit në Bruksel, nuk kanë prodhuar një lehtësim, në ndonjë segment kanë krijuar edhe vështirësi më tepër se sa që kanë krijuar lehtësi.

Tani në Beograd kemi ardhjen e një radikali si president të Serbisë. Ende nuk ka një kabinet qeveritar të formësuar dhe në ketë moment, nuk besoj se ka atmosferë dhe gatishmëri për bisedime.

Kosova është e obliguar të zhvillojë bisedime me qytetarët serbë të Kosovës. Dhe, jemi të bindur se oferta e institucioneve të Kosovës që u është dhënë qytetarëve serbë, është oferta më e mirë e mundshme dhe kemi vendosur standarde sa i takon të drejtave dhe lirive të komuniteteve pakicë - në mënyrë të veçantë të komunitetit serb. Dhe, unë mendoj që me këtë komunitet duhet biseduar dhe këtë Qeveria e Kosovë asnjëherë nuk e ka kundërshtuar dhe është e gatshme të bisedojë.

Për çështjet që po thuhen politike, realisht duhet të definohet se për çfarë çështje politike flitet, kjo është e para.

E dyta, sigurisht që politika në Kosovë dhe në këtë rast do të thosha jo vetëm pozita, po edhe opozita, duhet ta dinë qartë për çka duhet të bisedohet - çfarë kërkesa ka nga Bashkimi Evropian, në mënyrë që pala kosovare të bisedojë të formojë grupin që duhet të bisedojë dhe paraprakisht të dihet cila janë çështjet që do të bisedohen.

Unë mendoj që kjo nuk ka një përgatitje të tillë. Nuk ka një kërkesë të tillë në vijë zyrtare dhe konsideroj që, tash për tash, nga të gjitha këto që i thashë për bisedime politike me Beogradin jam i bindur që ato bisedime janë mbyllura.

Statusi politik i Kosovës është zgjidhur, Kosova është e njohur ndërkombëtarisht. Gjykata Ndërkombëtare e ka dhënë vlerësimin pozitiv për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe Kosova dhe nuk është problem në këtë rrafsh.

RADIO EVROPA E LIRË
Çështja e veriut të Kosovës nuk është zgjidhur. Pikërisht për këtë thuhet se mund të ketë një dialog politik me Serbinë. Si mendoni ju?

JAKUP KRASNIQI
Çështja e veriut është problem më vete, por nuk është që pala e Kosovës nuk e ka ofertën e vet, po është çështja se serbët e asaj pjese të Kosovës kanë refuzuar dhe vazhdojnë të refuzojnë të drejtat dhe liritë që ua ofron Kushtetuta dhe që ofron dokumenti gjithëpërfshirës i presidenti Ahtisari.

Unë jam i bindur, si për serbët tjerë në Kosovë që tani janë në duke funksionuar mirë mbi bazën e këtij dokumenti, do të funksiononte mirë edhe pushteti vendor në atë pjesë me shumicë serbe. Do të thotë, ne jemi të gatshëm të bisedojmë, por këto bisedime të jenë në kuadër të të drejtave dhe lirive që burojnë nga Kushtetuta dhe burojnë nga dokumenti gjithëpërfshirës i presidenti Ahtisari.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbët e veriut të Kosovës, kanë refuzuar ofertat dhe bisedimet me institucionet e Kosovës. Me kë duhet të bisedohet në veri, në mënyre që jeta e qytetarëve në atë pjesë të Kosovës të përmirësohet?

JAKUP KRASNIQI
Ne mendojmë që përpjekja është duke u bërë për formimin e një zyre. Ne kemi parë dhe kemi dëgjuar edhe nga mjetet e informimit se është një interesim i qytetarëve serbë për t’u punësuar në atë zyrë dhe këtë e shoh si një gatishmëri të qytetarëve për t’u integruar në jetën institucionale dhe publike në Kosovë.

Duhet që pala serbe, Beogradi, t’i respektojë marrëveshjet që janë arritur në Bruksel dhe ajo duhet t’i shpërbëjë të gjitha strukturat e veta që i ka në atë pjesë të Kosovës dhe që janë pengesë kryesore edhe për qytetarët serbë të Kosovës për të pasur një jetë më të qetë për të jetuar në një shoqëri ku sundon rendi dhe ligji.

Mendoj se nëse bëhet kjo, jam i bindur që qytetarët serbë do të t’i zgjedhin përfaqësuesit e vet.

Ne, si politikë në Kosovë, në asnjë rast dhe një asnjë pjesë të Kosovës nuk kemi kërkuar që qytetarët serbë të bëjnë përzgjedhjet që ne ua ( imponojmë) ofrojmë, po ta bëjnë zgjedhjen që ata mendojnë që përfaqësojnë më mirë dhe me drejt.

RADIO EVROPA E LIRË
Me kë mund të bisedojnë institucionet kosovare tash për tash në veri?

JAKUP KRASNIQI
Tash për tash, realisht nuk ka me kë të bisedohet. Në atë pjesë të Kosovës duhet të zhvillohen zgjedhjet e lira, me ligjet e Kosovës dhe atë përfaqësues të qytetarëve serbë që dalin nga ato zgjedhje, unë mendoj që duhet të komunikohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, ka kohë që flitet për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Mitrovicës. Pse po vonon mbajtja e këtyre zgjedhjeve?

JAKUP KRASNIQI
Sigurisht që është edhe ngathtësia e faktorit ndërkombëtar, në mënyrë të veçantë e Bashkimit Evropian. Unë mendoj që Bashkimi Evropian, duhet të ketë politika më të qarta në raport me Beogradin, se problemet nuk janë as në
pjesën veriore të Kosovë, e as në Prishtinë - janë në Beograd.
XS
SM
MD
LG