Ndërlidhjet

Kriza në Siri - SHBA s’e bind dot Rusinë


Homs, Siri
Homs, Siri
Shtetet e Bashkuara kanë dështuar të bindin Rusinë që të ndryshojë qëndrimin e saj për Sirinë.

Pas takimit ndërmjet të të dërguarit të Uashingtonit për Sirinë, Frederik Hof, dhe zyrtarëve të lartë rusë, Kremlini ka njoftuar se të dyja palët janë pajtuar për “mobilizimin e mbështetjes ndërkombëtare” për planin e paqes të të dërguarit ndërkombëtar, Kofi Anan.

Rusia, aleate e vjetër e regjimit sirian, i është bashkuar Kinës në bllokimin e masave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që do të kishin në shënjestër regjimin sirian.

Në zhvillimet brenda Sirisë, aktivistët kanë raportuar për shtatë persona të vrarë nga dy shpërthime në Idlib dhe Damask.

Siria është përfshirë nga protestat antiqeveritare dhe dhuna qysh në mars të vitit të kaluar. Sipas OKB-së, të paktën 9,000 njerëz kanë humbur jetën në trazira.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, këtë javë ka përsëritur thirrjet për largimin e presidentit sirian, Bashar al-Asad, nga pushteti.
XS
SM
MD
LG