Ndërlidhjet

Pagat e ulëta në sektorin publik po shtyjnë mjekët nga lëmi të ndryshme që të lëshojnë punën dhe të kërkojnë alternativa në sektorin privat. Një nga ta është Lirim Ukimeraj, otorinolaringolog. Doktor Ukimeraj nga sektori publik ka kaluar në atë privat.

”E kam lëshuar për shkak të kushteve të punës. I kam kërkuar 7- 8 vjet me radhë disa instrumente për punë, nuk i kanë siguruar. Edhe pagat e ulëta normalisht kanë ndikuar. Shërbimin që e ofron privat, e menaxhon si duhet dhe karshi pagesës që e bën pacienti, i ofron edhe kushte më të mira”, tregon Ukimeraj.

Pagat e mjekëve specialistë janë mbi 500 euro, derisa infermierët paguhen për punën e tyre rreth 300 euro, në sektorin publik, pohon zyrtari për informim në Qendrën Klinike Universitare, Shpend Fazliu.

Sipas tij, trendi i lënies së punës në sektorin publik, ka shënuar rënie dy vitet e fundit, krahasuar me vitet paraprake.

“Dy vitet e fundit në QKUK ka rënë numri i kërkesave që me vetë-dëshirë e lëshojnë punën, qoftë infermierët apo stafi i lartë i specialistëve.Për shembull në vitin 2012 janë vetëm 7 infermierë, që kanë lëshuar punën me vetë-dëshirë, derisa nga mjekët nuk ka pasur kërkesa".

"Në vitin 2011 një specialistë i ortopedisë e ka lëshuar punën me vetë-dëshirë dhe 25 infermierë, derisa në vitin 2010 ka pasur 7 kërkesa të specialistëve për ta lëshuar punën. E, në vitin 2009, 6 specialistë dhe 27 infermierë e kanë lëshuar (punën) me vetë-dëshirë”,
bën të ditur Fazliu.

Ndërkaq, sindikalistët e shëndetësisë në QKUK thonë se trendi i ikjes nga puna po vazhdon. Xhemajl Selmani, kryetar i kësaj sindikate, gjithashtu pohon se pagat e ulëta dhe kushtet jo të mira të punës ua pamundësojnë profesionistëve shëndetësorë vazhdimin e mëtejmë të punës së tyre.

“Ne, si sindikatë, e dimë që shumë emra të mirë të mjekësisë kosovare, shumë shpejt kanë bërë vend në shëndetësinë botërore. Ky trend i profesionistëve shëndetësorë është në proces dhe po vazhdon, pavarësisht asaj që ka mungesa të mëdha. Prapë se prapë të mirët po ikin. Arsyet janë kryesisht ato materiale dhe avancimet e tyre, sepse në Evropë shumë më lehtë po vijnë deri tek avancimet akademike”, thotë Selmani.

Sidoqoftë, vetë profesionistë shëndetësorë kanë deklaruar se në sistemin shëndetësor ka shumë pengesa që janë krijuar në strukturat udhëheqëse, si dhe procedurat që janë krijuar në resorë të caktuar, është bërë i vështirë depërtimi, dhe avancimi i mëtutjeshëm profesional.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG