Ndërlidhjet

Shtohet presioni ndërkombëtar ndaj Bashar al-Asadit


Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, të premten u takua me të dërguarin e OKB-së për Sirinë, Kofi Anan.
Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, të premten u takua me të dërguarin e OKB-së për Sirinë, Kofi Anan.
Vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara e kanë vizituar të premten vonë një fshat një pjesën qendrore të Sirisë, ku është raportuar se ka ndodhur një masakër.

Vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara, që e vizituan fshatin Mazrat al-Qubeir, thanë se kanë parë gjak nëpër mure, kanë ndjerë erë të “mishit të djegur” dhe kanë parë dëshmi të “krimit të tmerrshëm” që ishte bërë, por nuk kanë qenë në gjendje t’i konfirmojnë raportet se atje janë vrarë 78 vetë.

Nga ana tjetër, opozita thotë se forcat pro-qeveritare kanë dorë në këto vrasje, ndërsa qeveria e hedh poshtë përgjegjësinë, duke fajësuar grupe të paspecifikuara të terroristëve.

Vizita e vëzhguesve të Kombeve të Bashkuara u bë në kohën kur presioni ndërkombëtar diplomatik ndaj Sirisë po rritet.

Masakra e raportuar është dënuar gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar, ndërsa liderët perëndimorë i kanë përsëritur thirrjet e tyre që presidenti i Sirisë, Bashar al-Asad, të tërhiqet.

Në Uashington, sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, të premten është takuar me të dërguarin e OKB-së dhe Ligës Arabe për Sirinë, Kofi Anan, për të diskutuar për përgjigjen ndërkombëtare ndaj Damaskut.

“Është nder për t’i uruar mirëseardhje në Departamentin e Shtetit, të dërguarit special të përbashkët, ish-sekretarit të përgjithshëm, mikut dhe kolegut, Kofi Anan, për të vazhduar diskutimet, që ai i ka pasur me ne dhe me shumë të tjerë në botë, përfshirë edhe Këshillin e Sigurimit, lidhur me atë se si të ndërtojmë një përgjigje më të madhe ndaj qeverisë së Sirisë, për planin gjashtëpikësh të Ananit”, ka thënë Hillari Klinton.

Kofi Anani e ka përsëritur thirrjen e tij për “presion shtesë” ndaj Sirisë.

“Siria është sfidë reale dhe unë jam me të vërtetë mirënjohës që kam rastin të diskutoj me sekretaren e shtetit, Hillari Klinton, për çështjet e involvuara se si ne mund të bëjmë presion shtesë në qeveri, ndaj palëve, në mënyrë që të implementohet plani”, është shprehur Kofi Anan.

Gjatë javës, ndihmësi i zonjës Klinton, Frederik Hof, ka diskutuar për Sirinë me diplomatë të lartë rusë. Në kumtesën e Kremlinit thuhet se të dy palët janë pajtuar në “mobilizimin e mbështetjes ndërkombëtare” për planin paqësor të të dërguarit të OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Anan.

Por, një marrëveshje e tillë, tash për tash, ka dështuar të sigurojë mbështetjen e Rusisë për një strategji transitore, në të cilën Shtetet e Bashkuara thonë se duhet të përfshihet transferi i plotë i autoritetit nga presidenti sirian, Bashar al-Asad.

Gjermania, po ashtu, i ka bërë thirrje Rusisë që t’u bashkohet lëvizjeve kundër regjimit të Asadit për një aksion më të ashpër të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. (f.b.)
XS
SM
MD
LG